Lehtësimi i sanksioneve ndaj naftës ruse nga SHBA ngjall kritika në Evropë

Lehtësimi i sanksioneve ndaj naftës ruse nga SHBA ngjall kritika në Evropë

Bota March 14, 2026 - 15:28

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të lehtësuar disa sanksione mbi shitjet e naftës ruse ka shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit evropianë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për këtë vendim. Ndërkohë, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e cilësoi atë si “të gabuar”, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se vendimi është “shumë shqetësues”.

 

Rusia tashmë po përfiton nga rritja e çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit evropianë druhen se lejimi i Rusisë për të shitur më shumë nga nafta e saj do të rrisë edhe më tej të ardhurat e Kremlinit.

Moska ndodhet nën sanksione amerikane dhe evropiane që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Administrata amerikane nën presidentin Donald Trump kishte vendosur gjithashtu sanksione ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz rus, përfshirë konsumatorë të mëdhenj si India.

Megjithatë, me tregjet globale të energjisë të tronditura nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, Uashingtoni ka vendosur të lehtësojë disa nga këto masa.

Gjatë një konference për shtyp në Paris, ku u takua me homologun e tij francez, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se vetëm ky vendim i SHBA-së mund t’i sjellë Rusisë rreth 10 miliardë dollarë të ardhura shtesë. 

“Kjo sigurisht nuk e ndihmon paqen”, tha ai, duke shtuar se sa më shumë të ardhura të ketë Rusia, aq më shumë mund të mbështesë ekonominë e saj të luftës.

Sipas liderëve evropianë, ky zhvillim vjen në një moment të vështirë. Ukraina ka kaluar një dimër të rëndë lufte, ndërsa së fundmi ka arritur të rimarrë një pjesë të territorit dhe të godasë objektiva edhe brenda territorit rus.

Megjithatë, me një nxitje të re ekonomike për Rusinë dhe me vëmendjen ndërkombëtare të përqendruar gjithnjë e më shumë te lufta në Lindjen e Mesme, ekziston frika se situata mund të përkeqësohet.

Vendet evropiane druajnë gjithashtu se lehtësimi i përkohshëm i sanksioneve nga SHBA-ja mund të shndërrohet në një vendim të përhershëm.

Ndërkohë, një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, tha se aleatët duhet të vazhdojnë presionin ndaj Rusisë dhe burimeve që financojnë luftën e saj./rtk