Trumpi “humb” durimin, Grenelli shkarkohet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Richard “Ric” Grenell do të dorëhiqet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., një rol që ai e mbajti që nga emërimi në muajin shkurt të vitit 2025.
Grenell u emërua nga Trump dhe gjatë mandatit të tij qëndroi në qendër të një periudhe mjaft të diskutueshme për qendrën kombëtare të artit.
Trump tha në një postim në rrjetet sociale se Matt Floca, nënkryetari për operacionet e objektit, do të zëvendësojë Grenell si drejtor ekzekutiv dhe shef i operacioneve. Ky ndryshim pritet të formalizohet në një mbledhje të bordit të drejtorëve që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë.Largimi i Grenell ndodh ndërsa Kennedy Center përgatitet për një mbyllje dyvjeçare për rinovime, pas një periudhe kur qendra u riorganizua nga Trump dhe emri i tij u shtua në fasadën e ndërtesës – një vendim që shkaktoi reagime të forta dhe anulime të performancave nga artistë të njohur.
Trump e falënderoi Grenell për punën gjatë periudhës së tranzicionit, ndërsa kritikat kryesore për mandatet e tij lidhen me aspektet politike të menaxhimit të qendrës dhe reagimet e komunitetit artistik.
Mandati i tij si ushtrues detyre i drejtorit të “Kennedy Center” ka qenë i shoqëruar me turbulenca: anulime të shumta të performancave të rëndësishme, protesta, rënie të shitjes së biletave dhe vështirësi financiare, ndërsa ai përpiqej të zbatonte vizionin e presidentit për këtë institucion artistik.Pavarësisht afërsisë së mëparshme mes Trumpit dhe Grenellit – një besnik i afërt që ka mbajtur poste të ndryshme gjatë dy mandateve presidenciale – presidenti është lodhur nga një sërë titujsh negativë në media për ndryshimet në institucion, thanë burimet për cnn.
Një burim i njohur me qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti e vlerësonte Grenellin, por mendonte se ai nuk kishte arritur të ishte i suksesshëm në drejtimin e Kennedy Center, përfshirë edhe menaxhimin e publicitetit.
Gjatë drejtimit të institucionit, Grenell shpesh shkonte kundër prirjeve të botës së artit, duke sfiduar traditat dhe duke ndryshuar norma që kishin ekzistuar për dekada – gjë që, sipas kritikëve, ka shkaktuar tensione dhe ka dëmtuar rëndë institucionin.Ditët e fundit, Trump “ka filluar të humbasë durimin me të”, tha një burim pranë Kennedy Center.
“Ric ka punuar shumë për të mbetur i preferuari i Trumpit, por presidenti është lodhur duke dëgjuar çdo ditë se Kennedy Center po menaxhohet keq dhe se Trump po e shkatërron atë”, tha burimi.
Javë më parë ishte raportuar se Grenell kishte rënë në mospëlqim edhe për shkak të përplasjeve me shefen e kabinetit të Trumpit, Susie Wiles.Grenell njihet në Ballkan për lidhjet e tij lobuese me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për rolin e tij si i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.