Tragjedia në Zvicër me disa të vdekur e të plagosur, flet dëshmitari tjetër: Kishte flakë kudo
Një 67-vjeçar me origjinë shqiptare ka folur për mediat zvicerane pas tragjedisë me 6 të vdekur dhe 5 të plagosur në Zvicër, pas përfshirjes nga flakët të një autobusi të transportit publik.
Ai tregoi momentet e para kur shpërtheu flaka dhe se kishte dalë nga shtëpia pa këpucë për të ndihmuar.
“Vetëm flakë kishte kudo”, thotë 67-vjeçari Osman Ismaili, pensionist që jeton në Kerzers prej 35 vitesh, apartamenti i të cilit është ngjitur me vendin ku ndodhi zjarri.
Ismaili ishte duke darkuar me familjen kur papritmas pa zjarrin nga dritarja. “Vetëm bërtita se kishte zjarr dhe dola jashtë pa këpucë,” thotë ai, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
Më tej gjithçka që u zhvillua ishte dramatike, tregoi ai. “Pashë një burrë që mori një gur dhe theu një dritare. Pak më vonë, një person arriti të lirohej nga autobusi. Familja e tij kishte të afërm në autobus. Nuk e dimë ende çfarë ndodhi me ta”, thotë Ismaili me lot. Dhe përfundon: “Është thjesht e keqe dhe e trishtueshme.”
Një autobus i transportit publik u përfshi nga flakët në qendër të Kerzers në kantonin e Fribourg, Zvicër të martën në mbrëmje, duke sjellë një bilanc tragjik me gjashtë të vdekur dhe pesë të plagosur. Sipas mediave vendase, dyshohet se një person hodhi një shishe me benzinë dhe u dogj edhe vetë madje. Megjithatë nuk ka ende një version zyrtar për ngjarjen e rëndë.