Irani intensifikon sulmet, paralajmëron SHBA-në për pasoja pas fundosjes së anijes ushtarake
Irani ka nisur sot një valë të re sulmesh me raketa ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do ta “pendohen” për fundosjen e një anijeje luftarake iraniane në Oqeanin Indian, sipas AP-së.
Shpërthime janë dëgjuar në Tel Aviv, Jerusalem dhe në disa zona pranë tyre, ndërsa Izraeli ka deklaruar se ka ndërmarrë një ofensivë “në shkallë të gjerë” kundër objektivave në kryeqytetin iranian.
Marina amerikane konfirmoi se ka fundosur fregatën iraniane “Dena”, duke shkaktuar dhjetëra viktima mes marinarëve.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin si “një mizori në det” dhe theksoi se ai ndodhi në ujëra ndërkombëtare. Autoritetet srilankase njoftuan se 32 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, ndërsa u gjetën dhjetëra trupa të pajetë.
Konflikti, që ka hyrë në ditën e pestë, nisi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave strategjikë iranianë, përfshirë programin bërthamor dhe arsenalin raketor. Gjatë bombardimeve u vra edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, çka ka tronditur thellë strukturat drejtuese të vendit. Ceremonia mortore e tij është shtyrë për shkak të intensitetit të sulmeve.
Bilanci i viktimave vazhdon të rritet. Sipas autoriteteve iraniane, mbi 1 000 persona kanë humbur jetën në Iran, ndërsa në Izrael janë raportuar të paktën 11 viktima.
Në Liban, sulmet izraelite ndaj objektivave të lidhura me Hezbollahun kanë lënë disa të vrarë, përfshirë civilë në Tripoli dhe në periferitë jugore të Bejrutit. Gjithashtu janë konfirmuar edhe humbje në radhët e trupave amerikane.
Lufta ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe gjeopolitike. Sulmet në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin Persik kanë ndërprerë një pjesë të konsiderueshme të furnizimit global me naftë, duke rritur çmimet e naftës Brent me rreth 15%.
Trafiku detar dhe ajror në Lindjen e Mesme është çrregulluar ndjeshëm, ndërsa vendet e rajonit janë vendosur në gatishmëri të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. /atsh