Trump: Lufta vazhdon deri në plotësimin e objektivave

Trump: Lufta vazhdon deri në plotësimin e objektivave

Bota March 01, 2026 - 23:15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë një përditësim të rëndësishëm mbi përshkallëzimin e operacioneve ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme, duke njoftuar nisjen e Operacionit “Furia Epike”. Në një video të postuar në Truth Social, ai foli për sulmet masive kundër Iranit, arsyetimin pas veprimeve ushtarake, si dhe për humbjet dhe objektivat që administrata amerikane shpreson të arrijë gjatë këtij misioni.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka postuar një video të re në Truth Social, duke i dhënë një përditësim publikut amerikan mbi përshkallëzimin e fushatës ushtarake në Lindjen e Mesme.

“Gjatë 46 orëve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë nisur Operacionin ‘Furia Epike’, një nga ofensivat më të mëdha, më komplekse dhe më të fuqishme ushtarake që bota ka parë ndonjëherë,” tha Trump në fjalimin e tij gjashtëminutësh.

Presidenti dha detaje për shkallën e sulmeve, duke përshkruar një seri sulmesh të gjera në të gjithë Iranin. Ai gjithashtu dha arsyeimin për veprimin ushtarak këtë fundjavë, duke thënë për NBC News se arsyeja ishte “shumë e thjeshtë.”

“Ata nuk donin të ndalonin kërkimet e tyre bërthamore… Nuk ishin të gatshëm të thonin se nuk do të zhvillonin armë bërthamore,” shtoi ai.

Presidenti Donald Trump tha se ka të ngjarë të ketë viktima të tjera amerikane gjatë misionit ushtarak në Iran, i cili, sipas tij, do të vazhdojë derisa SHBA të arrijë objektivat e saj.

“Operacionet luftarake vazhdojnë në këtë moment, me forcë të plotë, dhe do të vazhdojnë deri sa të arrihen të gjitha objektivat tona. Ne kemi objektiva shumë të forta,” tha ai në një video të postuar në Truth Social të dielën, pa dhënë detaje të hollësishme mbi ato objektiva.

Duke përmendur tre viktimat amerikane që ishin njoftuar më parë nga Komanda Qendrore e SHBA-së, presidenti tha se kombi po vajton për humbjen e tyre.

“Si një komb, vajtojmë për patriotët e vërtetë amerikanë që kanë bërë sakrificën më të madhe për vendin tonë”, tha ai.

“Edhe ndërsa vazhdojmë misionin e drejtë për të cilin ata dhanë jetën, lutemi për shërimin e plotë të të plagosurve dhe dërgojmë dashurinë tonë të madhe dhe mirënjohjen e përjetshme për familjet e të rënëve”, thaksoi ai, raporton CNN.

Ai tha se kishte të ngjarë të ketë viktima të tjera amerikane.

“Fatkeqësisht, ka shumë gjasa të ketë më shumë para se të përfundojë. Kështu janë gjërat. Ka të ngjarë të ketë më shumë. Por ne do të bëjmë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, theksoi presidneti i SHBA-së.

Trump gjithashtu dha disa detaje mbi rezultatet që administrata shpreson të arrijë nga sulmet.

“Ka shumë rezultate që janë të mira. Numri një është t’i dekapitojmë, t’i heqim të gjithë grupin e tyre të vrasësve dhe të dhunshëmve. Dhe ka shumë, shumë rezultate të tjera. Mund të bëjmë versionin e shkurtër ose atë më të gjatë,” tha ai.

Kur u pyet nëse SHBA do të ndalojë sulmet nëse Irani kthehet në tryezën e negociatave, presidenti ishte më i rezervuar:

“Nuk e di,” shtoi ai, duke thënë se do të ishte i hapur “nëse ata mund të na kënaqin,” por “ata nuk kanë qenë në gjendje.”

Presidenti Trump gjithashtu diskutoi një afat të mundshëm në një intervistë me Daily Mail. “Megjithëse është i fuqishëm, është një vend i madh, do të zgjasë katër javë – ose më pak,” tha ai, raporton CNN.

Administrata Trump do të informojë ligjvënësit mbi situatën në Iran të martën.