E konfirmon Trumpi: Khamenei është i vrarë
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, përmes një postimi në platformën Truth Social.
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, është i vdekur”, ka shkruar Trump, duke shtuar se udhëheqësi iranian “nuk arriti t’i shmangej sistemeve amerikane të inteligjencës dhe gjurmimit”.
Sipas tij, “nuk kishte asgjë që ai, apo udhëheqësit e tjerë që u vranë bashkë me të, mund të bënin”.
Trumpi e cilësoi zhvillimin si “mundësinë më të madhe të vetme që populli iranian të rimarrë vendin e tij”.
Ai pretendon se Uashingtoni po merr sinjale se shumë pjesëtarë të Islamic Revolutionary Guard Corps, si dhe forca të tjera ushtarake, të sigurisë dhe policisë në Iran, “nuk duan më të luftojnë”.
Trumpi sugjeroi se do të ishte i gatshëm t’u ofronte atyre “imunitet”. Presidenti amerikan shtoi se, krahas vdekjes së liderit suprem, Irani “brenda vetëm një dite është shkatërruar në masë të madhe, madje edhe zhdukur”.
Megjithatë, ai paralajmëroi se bombardimet e rënda do të vazhdojnë “pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Konfirmimi i shpallur nga Trumpi vjen pas një serie pretendimesh dhe kundër-pretendimesh mes Izraelit dhe Iranit gjatë ditës së sotme lidhur me fatin e Khameneit dhe zhvillimet në terren. /Zëri