BE: Nesër mbledhje e jashtëzakonshme për Iranin

BE: Nesër mbledhje e jashtëzakonshme për Iranin

Bota February 28, 2026 - 18:37

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pranë BE-së do të mblidhen nesër në orët e vona të pasdites në një takim të jashtëzakonshëm, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i presidencës së radhës së BE-së, e cila aktualisht drejtohet nga Qiproja.

Po ashtu, presidenca ka thirrur një mbledhje virtuale të Grupit të Punës për Çështjet Konsullore, me synim vlerësimin e situatës së qytetarëve të BE-së që ndodhen në rajon. Ky takim do të zhvillohet para mbledhjes së ambasadorëve.

Ndërkohë, sot është shënuar një përshkallëzim i ndjeshëm i konfliktit mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Izraeli dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë një seri sulmesh ushtarake ndaj objektivave të ushtrisë iraniane, duke përdorur raketa dhe avionë luftarakë kundër bazave ushtarake dhe pikave strategjike në territorin iranian. Sipas tyre, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimi i kërcënimeve që, sipas pretendimeve të tyre, lidhen me programet raketore dhe ushtarake iraniane.

Në Teheran dhe në disa qytete të tjera janë raportuar shpërthime të fuqishme, si dhe dëme materiale në zona të banuara. Ka njoftime për viktima, përfshirë edhe civilë.

Pas sulmeve, Irani ka reaguar menjëherë duke nisur kundërgoditje me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake ku janë të pranishme forcat amerikane dhe, në disa raste, edhe duke goditur objektiva në Izrael. Këto zhvillime kanë shkaktuar shpërthime dhe alarme në disa vende të rajonit, veçanërisht aty ku stacionohen trupat amerikane.

Situata mbetet tejet e tensionuar, duke shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, pasi goditjet dhe lëshimet e raketave po ndikojnë edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme.