Epsteini u përpoq të blinte një pallat - kryevepër arkitekturore në Marok pak ditë para arrestimit të tij
Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat luksoz me vlerë disa milionë dollarë në Marok një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019. Kjo bëhet e ditur nga dokumente të publikuara muajin e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Epstein kishte tentuar ta blinte pronën e quajtur “Bin Ennakhil” që nga viti 2011. Por mosmarrëveshjet me shitësin për çmimin dhe mënyrën e pagesës e zvarritën marrëveshjen për vite me radhë.
Pallati ndodhet në zonën luksoze Palmeraie në Marrakech. Ai është përshkruar si një kryevepër arkitekturore. Thuhet se është ndërtuar nga 1.300 artizanë dhe ka gdhendje dhe mozaikë shumë të detajuar.
Më 5 korrik 2019, një ditë para arrestimit, Epsteini firmosi një pagesë bankare prej 14.95 milionë dollarësh. Kjo ndodhi pasi ishte arritur një marrëveshje për të blerë pronën për 18 milionë euro. Zyrtarisht, pallati ishte në emër të një kompanie të regjistruar jashtë vendit, jo në emër të një personi të vetëm.
Sipas dokumenteve, kjo ishte pagesa e fundit e madhe që ai bëri para se të arrestohej në New York, nën akuza për trafikim seksual.
Tre ditë pas arrestimit, kontabilisti i tij, Richard Kahn, anuloi transferin dhe blerja nuk u përfundua kurrë.
Maroku nuk ka marrëveshje ekstradimi me SHBA-në. Mediat lokale kanë spekuluar se Epsteini mund të ketë dashur ta blinte pronën për t’u strehuar atje nëse do të përballej me akuza të reja.
Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i tij, që nuk deshi të përmendet me emër, tha se kjo tregon se Epstein nuk kishte asnjë ide për arrestimin që po afrohej. Ai shtoi se ndoshta Epstein po mendonte për një vend ku mund të jetonte i qetë dhe me luks.
Dokumentet e publikuara nuk përmbajnë asnjë provë që Epsteini ta ketë diskutuar Marokun si vend strehimi për t’iu shmangur autoriteteve amerikane.
Lidhjet e Epsteinit me Marokun datojnë që nga fillimi i viteve 2000. Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të njohura të tij, ka treguar në kujtimet e saj se ishte dërguar nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell në qytetin Tangier për të parë disa prona luksoze. Në atë kohë, Epsteini donte të ndryshonte stilin e disa pjesëve të ishullit të tij privat, duke u frymëzuar nga stili maroken.
Në vitin 2002, Epsteini mori pjesë në dasmën e Mbretit të Marokut, Mohammed VI, së bashku me Maxwellin. Ftesa ishte bërë nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton.