“Në emër të të vrarëve nga snajperët”, Sarajeva kërkon drejtësi përtej kufijve të BeH-së
Këshilli i Qytetit të Sarajevës në mbledhjen e sotme ka miratuar një vendim, me të cilin i jep pëlqimin kryetarit të Sarajevës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me angazhimin e avokatit Nicola Brigida në procedurën penale që po zhvillohet në Milano kundër përgjegjësve për sulmet me snajper ndaj qytetarëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Me këtë vendim, kryetarit dhe Avokaturës së Qytetit të Sarajevës u mundësohet që, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, të nisin dhe të realizojnë të gjitha aktivitetet juridike, teknike dhe administrative me qëllim të përfshirjes zyrtare të Qytetit të Sarajevës në procedurën penale pranë organeve kompetente gjyqësore në Itali.
Kjo është hera e parë që Qyteti i Sarajevës përfshihet institucionalisht në një proces penal ndërkombëtar që lidhet me krimet e kryera ndaj qytetarëve të tij gjatë rrethimit.
Aktivitetet e planifikuara përfshijnë mbledhjen sistematike dhe të detajuar të të dhënave dhe dokumentacionit përkatës për qytetarët e vrarë nga plumbat e snajperëve, duke përfshirë të dhënat identifikuese të viktimave, rrethanat e vrasjes, dëshmitë, provat materiale në dispozicion, si dhe dokumentacionin arkivor dhe institucional.
Siç është bërë e ditur, fokus i veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit me familjet e viktimave, institucionet kompetente, arkivat, shoqatat e dëshmitarëve dhe subjektet e tjera relevante, me qëllim sigurimin e një dokumentacioni të plotë dhe të besueshëm.
Qëllimi i këtyre veprimeve është i shumëfishtë: sigurimi i pjesëmarrjes institucionale të Qytetit në proces, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre, kontributi në përcaktimin e përgjegjësisë individuale penale, si dhe dhënia e një kontributi të fuqishëm në përpjekjet ndërkombëtare për ndjekjen e krimeve të luftës.
Vendimi i Këshillit të Qytetit të Sarajevës përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë, duke konfirmuar përkushtimin e Qytetit të Sarajevës që, në emër të qytetarëve të tij, të vazhdojë kërkimin për drejtësi dhe të vërtetën mbi krimet e kryera gjatë rrethimit.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Propozim-Plani i Punës së Qytetit të Sarajevës për vitin 2026, u mor vendimi për anëtarësimin e Qytetit të Sarajevës në Rrjetin ICLEI (Qeveritë Lokale për Qëndrueshmëri), si dhe u ndryshua vendimi për pagat dhe kompensimet në organet e Qytetit të Sarajevës.