Kritiku i Pekinit Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burgim në Hong-Kong

Kritiku i Pekinit Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burgim në Hong-Kong

Bota February 09, 2026 - 08:49

Një gjykatë në Hong-Kong ka dënuar të hënën me 20 vjet burgim biznesmenin dhe aktivistin pro-demokraci Jimmy Lai, pasi ai u shpall fajtor për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare në dhjetor të vitit të kaluar.

Ky është dënimi më i ashpër i dhënë deri më tani sipas ligjit kontrovers të sigurisë kombëtare, i cili sipas autoriteteve kineze është i domosdoshëm për stabilitetin e qytetit.

Lai, shtetas britanik dhe një nga kritikët më të zëshëm të Pekinit, njihet si themelues i gazetës pro-demokraci Apple Daily, të cilën e përdori si platformë për kundërshtim politik. Gazeta u mbyll pas presionit të autoriteteve.

Po ashtu, gjashtë ish-drejtues të Apple Daily u dënuan të hënën me burg, me dënime që variojnë nga gjashtë vjet e nëntë muaj deri në 10 vjet.

I cilësuar si hero nga lëvizja pro-demokraci, Jimmy Lai nga ana tjetër shihet si tradhtar nga Pekini.

Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se kishte mbrojtur vlera që sipas tij përfaqësojnë Hong Kongun, si sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes.

Kryeministri ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-chiu, e ka përshëndetur dënimin e Lai-t si “thellësisht të kënaqshëm”, duke i cilësuar veprimet e tij si “të rënda” dhe “plotësisht të neveritshme”.

“Në mënyrë të vazhdueshme, Lai ka përdorur Apple Daily për të helmuar mendjet e qytetarëve, për të nxitur urrejtje, për të shtrembëruar faktet, për të krijuar përçarje shoqërore dhe për të kërkuar sanksione nga jashtë kundër Kinës dhe Hong-Kongut”, ka shkruar Lee në një postim në Facebook.

Sipas tij, dënimi i sotëm përbën “një moment të rëndësishëm në përpjekjet e Hong-Kongut për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.