BE-ja miraton kushtet e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

BE-ja miraton kushtet e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Bota February 04, 2026 - 18:34

Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord mbi kushtet për një paketë të re kredie për Kievin me vlerë 90 miliardë euro për vitet 2026 dhe 2027 për të mbështetur nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës.

Sipas planeve, 60 miliardë euro janë caktuar për shpenzime që lidhen me mbrojtjen.

Megjithatë, Kievi mund t’i përdorë paratë vetëm për të blerë pajisje ushtarake nga kompani me seli jashtë Ukrainës dhe Zonës Ekonomike Evropiane, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse produktet e kërkuara nuk janë të disponueshme.

Marrëveshja vjen pas një diskutimi intensiv midis vendeve të BE-së se si të lidhen fondet e reja me dispozitat për të blerë armë të prodhuara mundësisht në Evropë.

Franca ka mbështetur udhëzimet e rrepta për të promovuar industrinë evropiane të armëve, ndërsa të tjerë paralajmëruan se shumë kufizime mund të ndikojnë negativisht në armët mbrojtëse të Ukrainës.

Sipas marrëveshjes, Ukraina do të jetë në gjendje të përdorë fondet për armë të caktuara amerikane, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore “Patriot”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi më herët për rrezikun e vendosjes së kushteve të rrepta, pasi këto mund të kenë një ndikim negativ në aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Legjislacioni për kredinë ende duhet të finalizohet nga Parlamenti Evropian. Paketa e parë për Kievin parashikohet në tremujorin e dytë të vitit 2026.

“Financimi i ri do të ndihmojë në sigurimin e rezistencës së fortë të vendit përballë agresionit rus”, tha ministri qipriot i Financave, Makis Keravnos, vendi i të cilit kryesoi negociatat.

“Në të njëjtën kohë, ne po dërgojmë një sinjal të fortë se sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve duhet të respektohen plotësisht, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Keravnos. /atsh