Të paktën 17 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Të paktën 17 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite në veriun dhe jugun e Rripit të Gazës, sipas spitaleve lokale. Mes të vrarëve janë gjashtë fëmijë.
Spitali Al-Shifa në Gaza City njoftoi se kanë mbërritur trupat e 13 personave, përfshirë pesë fëmijë, që humbën jetën kur tendat dhe shtëpitë në lagjet Lindore të Zeitoun dhe Tuffah u goditën. Spitali Nasser në Khan Younis raportoi katër të vdekur, përfshirë një fëmijë, pas sulmeve në zonën Qizan Rashwan.
Ushtria izraelite tha se sulmet ndodhën pasi “terroristë” hapën zjarr në veri të Gazës, duke plagosur rëndë një ushtar pranë Linjës së Verdhë, që shënon territorin nën kontrollin izraelit sipas armëpushimit tre-mujor me Hamasin.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se nga sulmet izraelite kanë humbur jetën të paktën 529 persona, ndërsa Izraeli raporton katër ushtarë të vrarë nga sulmet palestineze.
Konflikti filloi më 7 tetor 2023, me sulmin e Hamasit ndaj jugut të Izraelit, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë mbi 71 mijë e 800 persona, sipas autoriteteve të territorit. /tvklan.al