Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit

Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit

Bota February 03, 2026 - 16:10

Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij do të padisë Universitetin e Harvardit duke kërkuar 1 miliard dollarë dëmshpërblim, ndërsa përplasja mes Shtëpisë së Bardhë dhe universitetit prestigjioz amerikan po thellohet.

Prej muajsh kanë qenë në zhvillim bisedime mes palëve ku vetë Trump kishte thënë në shtator të vitit të kaluar se një marrëveshje ishte afër dhe se Harvardi do të paguante 500 milionë dollarë për ta zgjidhur çështjen. Megjithatë, presidenti amerikan tani ka rritur ndjeshëm kërkesën financiare.

Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar të ndalojë fondet federale për disa universitete amerikane, duke i akuzuar ato për qëndrime problematike mbi çështje si diversiteti, të drejtat transgjinore dhe për lejimin e antisemitizmit në kampuse, veçanërisht gjatë protestave pro-palestineze kundër luftës së Izraelit në Gaza.

Disa universitete të Ivy League, përfshirë Columbia dhe Brown, kanë arritur marrëveshje me administratën dhe kanë pranuar disa nga kërkesat e saj. Harvardi, në anën tjetër, ka zgjedhur rrugën ligjore, duke paditur qeverinë për ngrirjen e fondeve federale.

Administrata Trump ka anuluar qindra grante për studiuesit e Harvardit, duke pretenduar se universiteti nuk ka vepruar mjaftueshëm për të mbrojtur studentët hebrenj nga ngacmimet. Kjo ka shtyrë institucionin të ndërmarrë veprime ligjore kundër qeverisë.

Pas raportimeve të New York Times se Shtëpia e Bardhë kishte hequr dorë nga kërkesa për pagesë, Trump reagoi ashpër, duke shkruar në rrjetin e tij social Truth Social:

“Tani po kërkojmë NJË MILIARD DOLLARË dëmshpërblim dhe nuk duam të kemi asnjë lidhje me Universitetin e Harvardit në të ardhmen.”

Ai akuzoi universitetin me seli në Cambridge, Massachusetts, se i ka dhënë gazetës “informacione të pavërteta” dhe se ka propozuar një skemë “të ndërlikuar dhe plotësisht të pamjaftueshme” për të shmangur pagesën.

Sipas Trump, propozimi i Harvardit ishte thjesht një përpjekje për t’i shpëtuar një marrëveshjeje financiare prej më shumë se 500 milionë dollarësh, një shumë që ai thotë se duhet të jetë “shumë më e lartë për shkeljet serioze dhe të rënda ligjore” që, sipas tij, universiteti ka kryer.  /abcnews