Gazetari i REL-it Maryan Kushnir nderohet nga Zelensky me urdhrin për guxim
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, korrespondenti nga fronti i luftës në Ukrainë, Maryan Kushnir dhe oficeri i Brigadës së 93-të të Mekanizuar “Kholodnyi Yar”, Vladislav Rozhkovski, janë nderuar me urdhrin “Për Guxim”, njoftoi më 3 shkurt presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Oficeri i Brigadës së 93-të të Mekanizuar ‘Kholodnyi Yar’, Vladislav me nofkën Omar, shpëtoi njerëz pas një sulmi terrorist rus me dronë ndaj një treni pasagjerësh në rajonin e Harkivit javën e kaluar. Vladislavi ishte një nga më shumë se 200 pasagjerët e trenit. Menjëherë pas bombardimeve nisi të ndihmonte njerëzit me evakuimin dhe u dha ndihmë mjekësore të gjithë atyre që kishin nevojë”.
Korrespondenti i REL-it, Maryan Kushnir, arriti të shpëtojë një fëmijë katërvjeçar nga një apartament i përfshirë nga zjarri si pasojë e sulmit rus me dronë në rajonin e Kievit”, tha Zelensky.
Zelensky falënderoi Vladislav Rozhkovskin dhe Maryan Kushnirin “për mbrojtjen e jetës së njerëzve, si në front ashtu edhe pas vijës së frontit”.
“Pikërisht, falë njerëzve të tillë, vendi ynë qëndron dhe lufton kundër armikut”, u shpreh Zelensky.
Gazetari Kushnir e shpëtoi një vajzë 4-vjeçare, duke e nxjerrë atë nga apartamenti ku ajo jetonte më 28 janar, pasi ndërtesa u godit nga një dron rus. Nëna e vajzës dhe partneri i saj humbën jetën gjatë këtij sulmi.
Tani, vajza është nën përkujdesjen e vëllait dhe babait të saj.
Ndërkaq, oficeri Rozhovski po udhëtonte me një tren drejt Lvivit, kur më 27 janar ky tren pasagjerësh u sulmua me dronë nga Rusia. Ushtari arriti të evakuonte pasagjerë nga vagonët që u goditën me dronë, duke përfshirë një nënë me foshnjën e saj.
Ndryshe, në qershor të vitit 2022 – vitin kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës – Kushnir dhe korrespondenti tjetër i Radios Evropa e Lirë, Serhiy Horbatenko, u nderuan nga Zelenskyn me Urdhrin e Meritës të Klasit të Tretë për kontributin e tyre në fushën e gazetarisë dhe guximit të tyre për të pasqyruar luftën. /REL