Pikëkalimi në Rafah në Gazë rihapet në mënyrë të kufizuar pas dy vjetësh luftë
Pikëkalimi kyç kufitar në Rafah të Gazës u rihap për palestinezët të hënën, tha një zyrtar izraelit i sigurisë, por media egjiptiane e lidhur me shtetin raportoi se vetëm 50 persona do të lejohen të kalojnë në secilin drejtim në ditët e para.
Rifillimi i operacioneve vjen pasi forcat izraelite morën kontrollin e kësaj porte hyrëse drejt Egjiptit në maj të vitit 2024, gjatë luftës me Hamasin, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja.
Një rifillim i pjesshëm i operacioneve nisi të dielën, në një fazë shumë të kufizuar që nuk përfshinte lëvizjen e njerëzve, pas muajsh thirrjesh nga grupet e ndihmës.
“Që nga ky moment, dhe pas mbërritjes së ekipeve të EUBAM-it në emër të Bashkimit Evropian, pikëkalimi në Rafah është hapur tashmë për lëvizjen e banorëve, si për hyrje ashtu edhe për dalje”, tha zyrtari izraelit, duke iu referuar misionit evropian të asistencës kufitare.
Media egjiptiane e lidhur me shtetin raportoi se pritej që 50 persona të kalonin në secilin drejtim në ditët e para të rihapjes.
AlQahera News, e lidhur me inteligjencën shtetërore, raportoi duke cituar një burim të paemëruar se “pesëdhjetë persona do të largohen nga Egjipti drejt Gazës dhe pesëdhjetë persona do të vijnë nga Gaza”, në ditët e para të operimit.
Një burim në kufi i tha AFP-së se disa dhjetëra persona mbërritën të hënën në anën egjiptiane duke pritur hyrjen në Gazë.
Megjithatë, transmetuesi shtetëror izraelit Kan raportoi se rreth 150 persona pritej të largoheshin nga Gaza drejt Egjiptit të hënën, përfshirë 50 pacientë.
Raporti tha se rreth 50 të tjerë pritej gjithashtu të hynin në territor, duke shtuar se pikëkalimi do të ishte i hapur për rreth gjashtë orë në ditë.
“Pikëkalimi i Rafahut është një vijë shpëtimi”, tha Mohammed Nassir, një palestinez të cilit iu amputua këmba pasi u plagos në fillim të luftës.
“Kam nevojë t’i nënshtrohem një operacioni që nuk mund të kryhet në Gazë, por që mund të bëhet jashtë vendit”.
Spitalet po përgatiten
Pamje të AFP-së nga e diela treguan ambulanca të rreshtuara në anën egjiptiane, duke u përgatitur për të pranuar të evakuuarit mjekësorë, të cilët pritej të ishin grupet e para që do të lejoheshin të largoheshin.
Një zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës, e cila funksionon nën autoritetin e Hamasit, tha se rreth 200 pacientë po prisnin leje për t’u larguar nga territori.
AlQahera News, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së Egjiptit, raportoi se 150 spitale dhe 300 ambulanca ishin përgatitur për të pranuar pacientë palestinezë.
Ajo tha se 12.000 mjekë dhe 30 ekipe të dislokimit të shpejtë ishin caktuar për të punuar me palestinezët e transferuar.
Rafah konsiderohet një pikë kyçe hyrjeje për ndihmat në Gazë, ku kushtet humanitare mbeten të rënda pas dy vjetësh lufte, pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga 10 tetori.
Pikëkalimi ka qenë i mbyllur që kur forcat izraelite morën kontrollin e tij në maj të vitit 2024 gjatë luftës me Hamasin, përveç një rihapjeje të shkurtër dhe të kufizuar në fillim të vitit 2025.
COGAT, organi i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes që koordinon çështjet civile palestineze, nuk përmendi lejimin e një rritjeje të shumëpritur të ndihmave, duke folur vetëm për kalimin e individëve “në të dy drejtimet”.
Cairo News, media shtetërore egjiptiane, raportoi se ana egjiptiane e pikëkalimit do të mbetej e hapur “24 orë në ditë”.
Pa zhvendosje të banorëve të Gazës
Ndërkohë, udhëheqësit e Egjiptit dhe Jordanisë ripërsëritën kundërshtimin e tyre ndaj çdo përpjekjeje për të zhvendosur palestinezët nga Gaza.
Izraeli më herët e kishte lidhur rihapjen e pikëkalimit në Rafah me kthimin e eshtrave të Ran Gvilit, pengut të fundit izraelit të mbajtur në Gazë. Trupi i tij u gjet dhe u varros javën e kaluar, duke e shtyrë Izraelin të njoftojë rihapjen graduale.
Dhuna vazhdoi përpara rihapjes, me mbrojtjen civile të Gazës që raportoi të paktën 32 persona të vrarë në sulme izraelite të shtunën.
Ushtria izraelite tha se kishte vepruar pasi militantë kishin dalë nga një tunel në Rafah.
I vendosur në kufirin jugor të Gazës me Egjiptin, Rafah është i vetmi pikëkalim për hyrje dhe dalje nga territori që nuk kalon përmes Izraelit.
Ai ndodhet në një zonë të mbajtur nga forcat izraelite pas tërheqjes së tyre pas të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, sipas kushteve të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Trupat izraelite ende kontrollojnë më shumë se gjysmën e Gazës, ndërsa pjesa tjetër mbetet nën autoritetin e Hamasit. /REL