Shembet miniera në Kongo, më shumë se 200 të vdekur
Më shumë se 200 persona kanë mbetur të vdekur këtë javë në një shembje në një minierë në Republikën Demokratike lindore të Kongos.
Kështu tha për Reuters, Lumumba Kambere Muyisa, zëdhënës i guvernatorit të emëruar nga rebelët të provincës ku ndodhet miniera.
Rubaya prodhon rreth 15% të koltanit në botë, i cili përpunohet në tantal, një metal rezistent ndaj nxehtësisë që është shumë i kërkuar nga prodhuesit e telefonave celularë, kompjuterëve, komponentëve hapësinorë dhe turbinave me gaz. Vendi, ku vendasit gërmojnë manualisht për disa dollarë në ditë, ka qenë nën kontrollin e grupit rebel AFC/M23 që nga viti 2024.
Shembja ndodhi të mërkurën dhe numri i saktë i viktimave ishte ende i paqartë deri të premten në mbrëmje.
“Më shumë se 200 persona ishin viktima të kësaj rrëshqitjeje dheu, përfshirë minatorë, fëmijë dhe gra. Disa njerëz u shpëtuan pikërisht në kohë dhe kanë lëndime serioze”, tha Muyisa, duke shtuar se rreth 20 persona të plagosur po trajtohen në mjediset shëndetësore.
Një këshilltar i guvernatorit tha se numri i të vdekurve të konfirmuar ishte të paktën 227. Ai foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të informonte median