Trumpi ia vendos dy kushte Iranit për t’i shmangur veprimet ushtarake

Trumpi ia vendos dy kushte Iranit për t’i shmangur veprimet ushtarake

Bota January 30, 2026 - 08:42

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se i ka përcjellë Iranit dy kushte kryesore për të shmangur veprimet ushtarake amerikane, në një kohë kur Uashingtoni po rrit praninë ushtarake në Gjirin Persik.

“Së pari, pa armë bërthamore. Dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit”, tha Trump, duke akuzuar autoritetet iraniane se po vrasin mijëra persona gjatë shtypjes së demonstratave.

Presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA-të kanë dislokuar forca të fuqishme detare pranë Iranit. “Kemi shumë anije shumë të mëdha dhe shumë të fuqishme që po lundrojnë drejt Iranit tani, dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim”, u shpreh ai.

Komentet vijnë pas javësh presioni nga SHBA-ja ndaj Teheranit për të negociuar një marrëveshje mbi programin bërthamor iranian. Trumpi i bëri deklaratat gjatë premierës së një dokumentari për bashkëshorten e tij, Melania Trump.

Më herët këtë javë, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se shpresonte që Irani të “vijë shpejt në tryezën e bisedimeve” për një marrëveshje “të drejtë dhe të barabartë”, duke theksuar se “nuk duhet të ketë armë bërthamore”. Ai paralajmëroi gjithashtu se një “armadë masive” ishte në lëvizje drejt Iranit dhe ishte “e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë” të vepronte me shpejtësi dhe forcë, nëse do të ishte e nevojshme.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, reagoi ashpër, duke deklaruar se forcat e armatosura iraniane janë gati “me gishtat në këmbëz” për t’iu përgjigjur “menjëherë dhe fuqishëm” çdo agresioni. Ai theksoi se Irani është i hapur vetëm ndaj një marrëveshjeje bërthamore të drejtë dhe pa presion apo kërcënime.

“Ne nuk kemi kërkuar kurrë të blejmë armë bërthamore. Armë të tilla nuk kanë vend në llogaritjet tona të sigurisë”, tha Araghchi.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi se aktualisht nuk ka negociata direkte me SHBA-në, pavarësisht “shkëmbimeve të mesazheve”.

Ndërkohë, situata e brendshme në Iran mbetet e tensionuar. Protestat shpërthyen në fund të dhjetorit pas rënies së fortë të monedhës kombëtare, por shpejt u shndërruan në një krizë të thellë legjitimiteti për udhëheqjen klerike. Banorë të Teheranit i thanë BBC-së se represioni ndaj protestuesve ka qenë më i ashpër se kurrë më parë.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (Hrana), me seli në SHBA, janë konfirmuar deri tani të paktën 6,479 të vrarë që nga nisja e trazirave, përfshirë mbi 6,000 protestues dhe 118 fëmijë, ndërsa po hetohen rreth 17,000 vdekje të tjera të raportuara. Autoritetet iraniane, nga ana e tyre, pretendojnë se më shumë se 3,100 persona janë vrarë, shumica prej tyre pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian ka shtuar Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj disa individëve dhe subjekteve iraniane.