Rrëfimi i gruas që i mbijetoi zjarrit në Zvicër: Nuk e di si shpëtova
Eleonora Palmieri, veterinere italiane 29-vjeçare nga Cattolica, është një nga të mbijetuarat e zjarrit katastrofik në barin Le Constellation në Crans-Montana, i cili vrau 40 persona në natën e Vitit të Ri.
Ajo u dërgua në një spital në Milano me djegie të rënda, ku ende po shërohet, raporton RTL .
Gruaja shkroi në Instagram, duke ndarë foto që tregonin fytyrën e saj të djegur dhe krahët e duart e fashuara.
Në një postim prekës, ajo falënderoi familjen, partnerin dhe stafin mjekësor.
"Një falënderim i madh për mjekët dhe të gjithë stafin e spitalit, të cilët po kujdesen për mua me profesionalizëm të madh dhe shumë humanizëm", shkroi ajo.
Gjatë rikuperimit të saj, Eleonora nuk i ka harruar viktimat e tragjedisë.
"Mendimet e mia janë me të gjithë ata që nuk mbijetuan", tha ajo.
Në një intervistë me të përditshmen italiane La Repubblica, Eleonora kujtoi se si arriti të shpëtonte nga bari që po digjej në sekondën e fundit.
"Si shpëtova veten? Nuk e di. Instinkti im i mbijetesës më shtyu jashtë", shpjegoi ajo.
Kujtojmë se natën e Vitit të Ri, resorti zviceran i skive Crans-Montana u godit nga një tragjedi e paparë në barin Le Constellation.
Ajo që duhej të kishte qenë një festë u shndërrua në një nga zjarret më vdekjeprurëse në historinë e kohëve të fundit të Zvicrës.
40 persona vdiqën, ndërsa më shumë se 115 u lënduan. Shumë nga viktimat ishin të rinj të moshës 14 deri në 21 vjeç. /Telegrafi