Trump: Ekzekutimet e protestuesve në Iran janë ndalur

Trump: Ekzekutimet e protestuesve në Iran janë ndalur

Bota January 15, 2026 - 13:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se autoritetet iraniane kanë ndaluar ekzekutimet e protestuesve, ndërkohë që administrata e tij po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake.

Sipas Trump, Irani ka hequr dorë nga ekzekutimi i një protestuesi të arrestuar gjatë demonstratave antiqeveritare, Erfan Soltani. Ndërkohë, media shtetërore iraniane IRIB ka raportuar se sistemi i drejtësisë në Iran ka mohuar pretendimet se Soltani do të ekzekutohej, duke theksuar se ai nuk është dënuar me vdekje. Qendra Mediale e Sistemit të Drejtësisë në Iran i ka cilësuar raportimet për arrestimin dhe dënimin e tij si “lajme të fabrikuara”.

Presidenti Trump theksoi se SHBA po monitoron nga afër veprimet shtypëse të autoriteteve iraniane dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake. Sipas një njoftimi zyrtar amerikan, po zvogëlohet numri i personelit në Bazën Ajrore Al-Udeid në Katar, e cila është goditur më parë nga Irani dhe shërben si seli qendrore e forcave ajrore amerikane për operacionet në rajon. Në këtë bazë ndodhen rreth 10 mijë persona.

Misioni amerikan në Arabinë Saudite ka këshilluar qytetarët dhe personelin të jenë vigjilentë dhe të kufizojnë lëvizjet pranë komplekseve ushtarake. Vende të tjera, përfshirë Italinë dhe Poloninë, kanë kërkuar largimin e qytetarëve të tyre nga Irani, ndërsa Gjermania ka udhëzuar kompanitë ajrore të shmangin hapësirën ajrore iraniane.

Agjencia e Lajmeve HRANA, e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut me seli në SHBA, ka bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 2.435 vrasje të protestuesve, përfshirë edhe 13 fëmijë, ndërsa 882 raste të tjera janë ende nën hetim./rtk