Irani rihap hapësirën ajrore, pas mbylljes së përkohshme mes tensioneve me SHBA-në

Irani rihap hapësirën ajrore, pas mbylljes së përkohshme mes tensioneve me SHBA-në

Bota January 15, 2026 - 08:21

Irani ka rihapur hapësirën e tij ajrore pasi e kishte mbyllur për disa orë për shumicën e fluturimeve komerciale, në mes të kërcënimeve për një sulm të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit të ShBA-së, ndalimi u zbatua gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, me fluturime të lejuara vetëm me miratim paraprak nga autoritetet iraniane, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.

Të dhënat e “FlightRadar” treguan një rënie drastike të trafikut ajror mbi Iran, ndërsa shumë avionë shmangën hapësirën ajrore të vendit. Vendimi u mor në një klimë tensionesh të shtuara, pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për veprime ushtarake kundër Teheranit.

Mbyllja e hapësirës ajrore u shoqërua me tërheqjen e një pjese të forcave amerikane dhe britanike nga baza Al Udeid në Katar dhe me paralajmërime sigurie për qytetarët e huaj në rajon. Organizatat e sigurisë ajrore paralajmëruan për rreziqe të shtuara për aviacionin civil, duke kujtuar rrëzimin e një avioni pasagjerësh në Iran në vitin 2020.

Edhe pse hapësira ajrore është rihapur, situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në rajon vazhdon.