UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi

UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi

Bota January 13, 2026 - 23:44

Sipas agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, më shumë se 100 të mitur janë vrarë në Rripin e Gazës që nga shpallja e armëpushimit në tetor.

Organizata raportoi se kanë humbur jetën 60 djem dhe 40 vajza nën moshën 18 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, i ka konfirmuar këto shifra dhe ka deklaruar se është burimi kryesor i të dhënave për UNICEF-in.

Organizatat e OKB-së kanë theksuar vazhdimisht se shifrat e ministrisë konsiderohen të besueshme.

Megjithatë, të dhënat e autoritetit shëndetësor nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite tha, në përgjigje të një kërkese për koment, se nuk synon kurrë qëllimisht fëmijët dhe se gjithmonë përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të saj.

Sipas saj, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, ushtria ka goditur vetëm objektiva terroriste ose ka reaguar ndaj shkeljeve të marrëveshjes nga ana e Hamasit.

Ushtria izraelite gjithashtu bëri thirrje për kujdes në lidhje me shifrat e autoriteteve shëndetësore.

Edhe informacionet e ushtrisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ndodhet në Rripin e Gazës, tha se viktimat janë shkaktuar kryesisht nga sulmet ajrore dhe ato me dronë.

“Bombardimet janë ngadalësuar, por nuk janë ndalur”, theksoi  ai.

“Disa viktima janë goditur edhe nga armë zjarri, ndërsa disa të tjerë janë vrarë nga mjete shpërthyese të pashpërthyera më herët”, shtoi ai.

Sipas tij, numri real i të vrarëve është më i lartë, pasi UNICEF numëron vetëm rastet që i konsideron të verifikuara.

”Gjashtë fëmijë kanë vdekur tashmë nga hipotermia këtë dimër në Gaza”, tha Elder./atsh