Spanjë: Policia sekuestron sasi rekord kokaine në Atlantik
Forcat speciale spanjolle kanë sekuestruar afërsisht 10 tonë kokainë në një anije mallrash që vinte nga Brazili në oqeanin Atlantik, njoftuan sot autoritetet.
Ata thanë se ky është sekuestrimi më i madh i kokainës në det të hapur në historinë e Policisë Kombëtare spanjolle.
Anija u ndalua rreth 540 kilometra në perëndim të Ishujve Kanarie.
Sipas njoftimit, të 13 anëtarët e ekuipazhit, që raportohet se janë nga India dhe Serbia, u arrestuan.
Kokaina thuhet se ishte fshehur në një ngarkesë kripe.
Sipas deklaratës, goditja historike kundër mafias së kokainës nga Amerika e Jugut ndodhi javën e kaluar.
Forcat spanjolle u ndihmuan në hetimet e tyre nga Administrata e Drogave e SHBA-së (DEA), Qendra për Analizë dhe Operacione Detare Narkotikë (MAOC-N), ku bëjnë pjesë Gjermania dhe vende të tjera evropiane, si dhe autoritetet në Francë, BM dhe Portugali.
Anija u dërgua në portin e Santa Cruz në Tenerife, ku qëndron që nga e diela pasdite.
Sipas medieve spanjolle, që citonin zëdhënës të Policisë Kombëtare, asnjë vend tjetër evropian nuk ka arritur ndonjëherë një kapje kaq të madhe të kokainës në det të hapur.
Sipas burimeve të shpeshta zyrtare, Spanja po bëhet gjithnjë e më shumë një nga portat kryesore për tregtinë e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në tetor, njësitë speciale të policisë sekuestruan 6,5 tonë kokainë në një anije tjetër në Atlantik.
”E gjithë Evropa aktualisht po përmbytet nga kokaina, dhe Spanja luan një rol të rëndësishëm si portë drejt kontinentit”, tha Joan Ramon Villalbi, komisioneri i qeverisë për Planin Kombëtar të Drogës në Spanjë, gjatë një dëgjese me ligjvënës spanjoll vitin e kaluar./atsh