Trumpi kërcënon Iranin, Teherani thotë se është gati për luftë e dialog

Trumpi kërcënon Iranin, Teherani thotë se është gati për luftë e dialog

Bota January 12, 2026 - 11:17

Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-ja mund të takohet me zyrtarë iranianë dhe se është në kontakt me opozitën, ndërsa peshoi një sërë përgjigjesh të forta, duke përfshirë opsionet ushtarake, ndaj shtypjes së dhunshme të protestave iraniane, të cilat përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për sundimin klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

"Irani dëshiron të negociojë,ne mund të takohemi me ta. Takimi po caktohet, por mund të na duhet të veprojmë para takimit për shkak të asaj që po ndodh, por një takim po caktohet", u tha Trump gazetarëve në bordin e aeroplanit presidencial.

Ndërsa Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi ka thënë sot se "Irani është i gatshëm për luftë, por edhe për dialog". Presidenti Trump kishte paralajmëruar edhe më parë udhëheqësit e Iranit se Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë nëse forcat e sigurisë hapin zjarr ndaj protestuesve.

Ndërkohë, Grupi i të drejtave të njeriut me seli në SHBA, HRANA, tha se kishte verifikuar vdekjen e 490 protestuesve dhe 48 pjesëtarëve të forcave të sigurisë, dhe arrestimin e më shumë se 10.600 personave, por Irani nuk ka dhënë shifra zyrtare.

Presidenti Trump gjithashtu të dielën tha se Irani kishte bërë thirrje për të negociuar programin e tij bërthamor, të cilin Izraeli dhe SHBA-të e bombarduan në një luftë 12-ditore në qershor. Trump do të takohet me këshilltarë të lartë të martën për të diskutuar opsionet për Iranin, sipas një zyrtari amerikan raporton agjencia e lajmeve Reuters të dielën, përcjell rtklive.

Kurse, Wall Street Journal kishte raportuar se opsionet përfshinin sulme ushtarake, përdorimin e armëve sekrete kibernetike, zgjerimin e sanksioneve dhe ofrimin e ndihmës online për burimet antiqeveritare.