Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trumpit për Venezuelën
Çmimet e naftës vijuan sot rënien, mes frikës për rritje të ofertës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Venezuela do t’ua dërgojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë.
Në një postim dje në platformën e tij Truth Social, Trumpi tha se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar, duke e paraqitur këtë veprim si përfitim për të dyja vendet.
Një fuçi përmban 159 litra.
Kjo sasi është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës të Venezuelës. Nafta do të shitej me çmime tregu dhe të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për të garantuar se do të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara, sipas Trumpit.
Një fuçi e naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në mars u ul sot në mëngjes me 56 cent ose gati 1%, në 60,14 dollarë, pasi çmimi kishte rënë me afro 2% të martën.
Ndërkohë, çmimi i një fuçie të naftës amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 centë, ose 1,3%, në 56.40 dollarë.
Fillimisht ishte e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihej në dispozicion vëllimi i naftës së papërpunuar i përmendur nga Trumpi.
Nafta është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave dhe valutës së huaj për Venezuelën.
Udhëheqja e re në Karakas nuk reagoi menjëherë ndaj njoftimit të Trumpit. /abcnews