SHBA-ja nis procedurat për heqjen e shtetësisë ndaj një të dyshuari për krime lufte në Bosnjë
Foto: Reuters

SHBA-ja nis procedurat për heqjen e shtetësisë ndaj një të dyshuari për krime lufte në Bosnjë

Bota January 06, 2026 - 13:25

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka dorëzuar një padi civile për heqjen e shtetësisë amerikane të Sead Milkoviqit, i njohur si Sead Dukiq, për fshehjen e identitetit të tij të vërtetë, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë ishte lëshuar fletarrestim ndaj tij për shkak të dyshimeve se ka kryer krime lufte.

Milkoviqi është ish-pjesëtar i forcave të sigurisë të Autonomisë së përkohshme të Bosnjës Perëndimore (APZB), për të cilin gjykata në Bosnje dhe Hercegovinë kishte lëshuar fletarrestim për krime lufte ndaj civilëve, në kohën kur Qeveria amerikane i dha shtetësinë, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ai kishte shkuar në SHBA në vitin 1996 dhe fitoi shtetësinë amerikane përmes natyralizimit më 2007. Por, sipas njoftimit, ai nuk kishte njoftuar autoritetet amerikane të emigracionit se kishte përdorur më shumë se një emër dhe se në kërkesat e tij të ndryshme kishte deklaruar më shumë se një datë dhe vend lindjeje, më shumë se një emër për babanë dhe më shumë se një grua si bashkëshorten e tij.

Fletarrestimi i lëshuar më 23 janar 2007 në Bosnjë e Hercegovinë çoi në njoftimin e kuq të INTERPOL-it, në të cilin pretendohet se Milkoviq më 18 qershor 1994, teksa vepronte si pjesëtar i forcave të sigurisë së APZB-së, kishte keqtrajtuar fizikisht civilët që ishin kundër qeverisë së APZB-së, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Sipas njoftimit të kuq, Milkoviq dhe bashkëpunëtorët e tij rrahën 12 civilë me shkopinj druri dhe i mbyllën në morg për pesë ditë pa qasje në dritë ose ujë. Milkoviq ende nuk është paraqitur para gjykatës boshnjake për këto akuza.

“Kjo administratë nuk do të lejojë që të huajt të vijnë në këtë vend dhe të fshehin të kaluarën e tyre për të marrë dhuratën e çmuar të shtetësisë amerikane”, tha Bret Shumate, ndihmësprokuror i Departamentit të Drejtësisë në Degën Civile.

Autonominë e përkohshme të Bosnjës Perëndimore e shpalli në vitin 1993 në zonën e Klladushës së Madhe, dhe pjesë të rajonit Cazin biznesmeni i kontestuar nga kjo pjesë e Bosnjës Fikret Abdiq. Ky vendim u shfuqizua më 1995. /Rel