Tërmet i fortë në Meksikë, dy viktima dhe dhjetëra të plagosur

Tërmet i fortë në Meksikë, dy viktima dhe dhjetëra të plagosur

Bota January 03, 2026 - 20:06

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.5 goditi të premten jugun dhe qendrën e Meksikës, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe dëme materiale në disa zona të vendit.

Epiqendra e lëkundjes u regjistrua pranë qytetit turistik Akapulko, afër San Markos, në shtetin jugperëndimor të Guerreros. Autoritetet lokale raportuan dëme të moderuara, ndërsa shërbimet e emergjencës u vendosën menjëherë në terren.

Guvernatorja e Guerreros, Evelyn Salgado, konfirmoi se një grua 50-vjeçare humbi jetën si pasojë e tërmetit. Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Qytetit të Meksikos, Clara Brugada, bëri të ditur se një burrë 60-vjeçar ndërroi jetë në kryeqytet dhe se 12 persona të tjerë janë plagosur.

 

Në Qytetin e Meksikos u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike, por autoritetet njoftuan se furnizimi është rikthyer në rreth 98% të zonave të prekura. Dy ndërtesa po vlerësohen për rrezik shembjeje, ndërsa dhjetëra objekte banimi dhe publike po inspektohen si masë parandaluese.

Sipas shërbimit sizmologjik, deri në mesditën lokale janë regjistruar mbi 400 pasgoditje. Raportohet gjithashtu për rrëshqitje dheu në disa rrugë kryesore në shtetin Guerrero, si dhe ndikime në infrastrukturë, përfshirë rrugë dhe spitale.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ndodhej në një konferencë për shtyp në momentin e tërmetit, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa që lëkunden dhe qytetarë që dalin me shpejtësi në rrugë pas aktivizimit të sistemit të alarmit sizmik.

Meksika është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet, pasi ndodhet në zonën e takimit të katër pllakave tektonike. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve. /abcnews