Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim
Kritiku i Vladimir Putinit, Sergei Udaltsov është dënuar me gjashtë vjet burgim për terrorizëm nga një gjyakatë në Rusi të enjten, raportoi “The Guardian”. Udhëheqësi i lëvizjes së Frontit të Majtë që kundërshton Putinin dhe është i lidhur me Partinë Komuniste, u arrestua vitin e kaluar.
Sipas faqes ruse të lajmeve Mediazona, akuzat kundër tij rrjedhin nga një artikull që Udaltsovi postoi në internet në mbështetje të një grupi tjetër aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan këtë muaj me dënime që varionin nga 16 deri në 22 vjet burgim.
Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij si të sajuara. Të enjten, ai e cilësoi vendimin si të turpshëm dhe tha se do të hynte në grevë urie.
Ai ishte një figurë e shquar e opozitës gjatë protestave masive të viteve 2011-12 në Rusi, të shkaktuara nga raportet për manipulim të gjerë të zgjedhjeve parlamentare. Në shkurt të vitit 2012, ai mori pjesë në një takim që presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev zhvilloi me figura të ndryshme të opozitës.
Në dhjetor 2023, një gjykatë në Moskë e dënoi Udaltsovin me 40 orë punë të detyruar për shkelje të procedurave që lidhen me organizimin e një tubimi pasi u ndalua në Sheshin e Kuq, ku u përpoq të shpaloste një flamur me imazhin e diktatorit sovjetik Josef Stalin, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.
Udaltsov ishte burgosur në vitin 2014 dhe ishte dënuar me 4.5 vjet burgim për akuza që lidhen me rolin e tij në organizimin e një demonstrate të vitit 2012 kundër Putinit që u shndërrua në trazira. Ai u lirua në vitin 2017. /abcnews