Shumica e rusëve presin fundin e luftës në Ukrainë në vitin 2026

Shumica e rusëve presin fundin e luftës në Ukrainë në vitin 2026

Bota December 25, 2025 - 09:06

Shumica e qytetarëve rusë besojnë se lufta në Ukrainë do të përfundojë në vitin 2026, sipas një sondazhi të publikuar nga Qendra Gjithë-Ruse për Studimin e Opinionit Publik (VTsIOM).

Sipas anketës, 70 për qind e të pyeturve e shohin vitin 2026 si më të suksesshëm për Rusinë, ndërsa 55 për qind e lidhin optimizmin me përfundimin e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” dhe me arritjen e objektivave të saj, raporton “AlJazeera”, transmeton Klankosova.tv.

Zëvendëskreu i VTsIOM, Mikhail Mamonov, tha se avancimet e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe dobësimi i mbështetjes perëndimore për Kievin kanë ndikuar në rritjen e pritshmërive për një marrëveshje për ndaljen e luftimeve.

Megjithatë, sipas sondazheve të pavarura, rreth dy të tretat e rusëve mbështesin nisjen e bisedimeve për paqe, ndërsa lodhja nga lufta mbetet e vështirë për t’u matur për shkak të kontrollit shtetëror mbi mediat.

Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë për tërheqje të ndërsjellë të trupave dhe krijimin e zonave të çmilitarizuara, por Rusia nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga territoret e pushtuara. /klankosova