Papa Leo XIV mban meshën e parë të Krishtlindjes që nga marrja e detyrës

Papa Leo XIV mban meshën e parë të Krishtlindjes që nga marrja e detyrës

Bota December 25, 2025 - 08:04

Krishtlindja e vitit 2025 do të mbahet mend gjatë për besimtarët katolikë, jo vetëm si Mesha e parë e Natës së Krishtlindjes për Papën Leo XIV, por edhe për gjestin e ngrohtë njerëzor që Ati i Shenjtë rezervoi për pelegrinët.

Pak minuta para se të niste liturgjia zyrtare brenda mureve të shenjta, Papa Leo XIV bëri një dalje të papritur dhe jashtë programit në sheshin e Shën Pjetrit.

Moti i keq dhe shiu i rrëmbyeshëm që ka përfshirë Romën nuk i kishin larguar mijëra besimtarë, të cilët po prisnin të ndiqnin meshën përmes ekraneve gjigante. I prekur nga ky përkushtim, Papa iu drejtua turmës: “Faleminderit që erdhët, edhe në shi! Urimet më të mira të gjithëve!”, tha ai, duke shkaktuar ovacione në shesh.

Ai shtoi një mesazh shprese për të gjithë të pranishmit: “Duam ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja”.

Pas këtij momenti emocionues, Papa Leo XIV hyri në procesion në Bazilikën e Shën Pjetrit, e cila ishte e mbushur. Kjo shënon Meshën e tij të parë të Krishtlindjes që nga marrja e detyrës.

Atmosfera ishte tejet solemne, ndërsa Kori i Kapelës Sistine shoqëroi hyrjen e Papës me himnin klasik “Noel”.

Në Altarin qendror të Rrëfimit, Papa u bashkua në kremtim me rreth 250 klerikë të lartë, përfshirë kardinalë, peshkopë dhe priftërinj, duke nisur kështu ritet e një prej netëve më të shenjta të kalendarit kristian.