Gjashtë persona të vdekur nga rrëzimi i një aeroplani në SHBA

Gjashtë persona të vdekur nga rrëzimi i një aeroplani në SHBA

Bota December 18, 2025 - 21:42

Gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël privat u rrëzua pak pas ngritjes nga Aeroporti Rajonal i Statesville, në Karolinën e Veriut, raportojnë burime për CNN.

Sipas zëvendësshefit të Qarkut Iredell, Bill Hamby, aksidenti ndodhi rreth orës 16:15 (sipas kohës lokale). Të dhënat paraprake tregojnë se viktimat ishin piloti dhe pesë persona të tjerë. Një burim federal i tha CNN-it se në bord ndodhej edhe një person i lidhur me NASCAR-in, shkruan Klankosova.tv.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se bëhej fjalë për një avion tip “Cessna C550”, i cili u rrëzua gjatë tentativës për t’u ulur rreth orës 16:20, sipas kohës lokale. Hetimet do të zhvillohen nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB), i cili do të udhëheqë procesin dhe do të japë përditësime të mëtejshme.

Një dëshmitare që punon në aeroport i tha CNN-it se pas përplasjes pa avionin të përfshirë nga flakët.

“Tavolina ime e punës është përballë vendit ku ndodhi ngjarja. Po rrija ulur kur dëgjova një shpërthim të fortë dhe hangari u drodh pak. U ngrita për të parë dhe pashë flakë kudo”, tha Victoria, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emër për arsye privatësie.

Në një konferencë të shkurtër për media, autoritetet lokale nuk dhanë shumë detaje për shkaqet e aksidentit. Menaxheri i aeroportit, John Ferguson, tha se aktualisht “nuk ka asnjë informacion për ndonjë shkak”.