Dhjetë të vrarë në një sulm në plazhin Bondi në Australi gjatë një feste hebraike
Dhjetë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi dy burra hapën zjarr gjatë një feste hebraike në plazhin Bondi të Sidnejt të dielën, thanë zyrtarët australianë.
Policia e Uellsit të Ri Jugor tha se dy të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, transmetuesi publik australian ABC raportoi se një nga dy sulmuesit e armatosur ishte në mesin e të vrarëve.
Dhjetëra njerëz janë dërguar në spitale pas të shtënave, tha një zëdhënës i shërbimit të ambulancës së Uellsit të Ri Jugor.
Kryeministri Anthony Albanese e quajti incidentin “tronditës dhe shqetësues”, duke shtuar se “ekipet e emergjencës janë në terren dhe po punojnë për të shpëtuar jetë”.
“Pashë të paktën 10 njerëz të shtrirë në tokë dhe gjak kudo”, tha për Sydney Morning Herald dëshmitari Harry Wilson.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se hebrenjtë që kishin shkuar për të ndezur qiriun e parë të festës së Hanukës në plazh u sulmuan nga “terroristë të ndyrë”.
Australia ka përjetuar një sërë sulmesh antisemitike ndaj sinagogave, ndërtesave dhe makinave që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë në tetor 2023.
Si një nga plazhet më të famshme në botë, Bondi zakonisht është i mbushur me banorë vendas dhe turistë, veçanërisht në mbrëmjet e ngrohta të fundjavës.
Video që qarkullonin në platformën X shfaqnin njerëz në plazh dhe në parkun aty pranë duke u shpërndarë, ndërsa dëgjoheshin të shtëna të shumta dhe sirena policie.
Një video tregonte një burrë të veshur me këmishë të zezë duke qëlluar me një armë të gjatë, përpara se të neutralizohej nga një burrë me bluzë të bardhë, i cili ia mori armën nga duart.
Një burrë tjetër u pa duke qëlluar me armë nga një urë këmbësorësh.
Një video tjetër tregonte dy burra të shtrirë përtokë dhe të mbajtur nga policë me uniformë mbi një urë të vogël këmbësorësh.
Sulmi ndodhi pothuajse saktësisht 11 vjet pasi një person i armatosur mori peng 18 persona në kafenenë Lindt në Sidnej. Dy pengje dhe sulmuesi u vranë pas një përballjeje që zgjati 16 orë. /REL
https://x.com/Engr_Farooq_/status/2000147860919099584?s=20