Trump: Zelensky duhet të merret me punët e tij dhe të fillojë të pranojë gjërat
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia ka “dorën e sipërme” në negociatat e paqes me Ukrainën, dhe se Volodymyr Zelensky duhet të “merret me punët e tij dhe të fillojë të pranojë gjërat”.
Në një intervistë me gazetën gjermane Bild, Trumpi akuzoi gjithashtu aleatët evropianë të Ukrainës se “flasin shumë” dhe nuk “po japin rezultate” për vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Telegrafi.
Trumpi ka udhëhequr përpjekjen e fundit diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar, duke hartuar një plan paqeje prej 28 pikash të cilin as Ukraina dhe as Rusia nuk e kanë pranuar në formën e tij aktuale.
Propozimi është përballur me kërkesa që janë të vështira për t’u pajtuar, veçanërisht nëse Kievi duhet të heqë dorë nga toka dhe si mund të mbahet i sigurt nga çdo agresion i ardhshëm nga Moska.
I pyetur se cila palë besonte se është në një pozicion më të fortë negociues, Trumpi tha: “Nuk mund të ketë dyshim për këtë. Është Rusia. Është një vend shumë më i madh”.
Lidhur me Zelenskyn, i cili tha se sot do t’i dërgonte SHBA-së një version të përditësuar të planit të paqes me “pikat e dukshme anti-Ukrainë” të hequra, Trump thotë: “Ai duhet të marrë masa dhe të fillojë të pranojë gjërat”.
I pyetur për Evropën dhe rolin e saj në bisedimet e paqes, Trumpi thotë se i pëlqen “grupi aktual” i udhëheqësve evropianë, por thotë se ata “nuk po bëjnë një punë të mirë” për Ukrainën.
“Ata flasin shumë. Dhe nuk po japin rezultate. Ne po flasim për Ukrainën. Ata flasin, por nuk po japin rezultate. Dhe lufta thjesht vazhdon e vazhdon”, shtoi presidenti amerikan.
Ai gjithashtu u pyet për komentet e bëra nga djali i tij, Donald Trump Jr, javën e kaluar, i cili sugjeroi se Trumpi mund të largohej nga bisedimet nëse propozimi aktual nuk arrin të sjellë paqe.
“Kjo nuk është e vërtetë. Por as nuk është krejtësisht e gabuar. Ne duhet… e dini, ata duhet të luajnë me të. Nëse nuk i lexojnë marrëveshjet, marrëveshjet e mundshme, atëherë nuk do të jetë e lehtë me Rusinë, sepse Rusia ka avantazhin, dorën e sipërme”, tha ai.