Ukrainasit ngrenë flamurin në Pokrovsk: Qyteti nuk ka rënë, lufta vazhdon

Ukrainasit ngrenë flamurin në Pokrovsk: Qyteti nuk ka rënë, lufta vazhdon

Bota December 09, 2025 - 13:39

Pavarësisht pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin se forcat e tij kanë marrë nën kontroll Pokrovskun, beteja për këtë qytet kyç në lindje të Ukrainës ende po vazhdon. Edhe pse forcat ukrainase po humbin terren dhe po tërhiqen gradualisht, ato mbeten të vendosura të tregojnë se ende mund t’i rezistojnë avancimit rus drejt synimit final – pushtimit të të gjithë Donbasit, shkruan BBC.

Sipas pamjeve të siguruara nga BBC, në radio, një komandant urdhëron dy nga ushtarët e tij të dalin nga strehimi dhe të ngrenë flamurin ukrainas. Ata lëvizin me shpejtësi që të mos vërehen. Pamjet nga droni tregojnë momentin kur ata valëvisin për pak çaste flamurin verdh e blu, para se të kthehen sërish në zonën e sigurt.

“Tani e patë me sytë tuaj. Mendoj se e gjithë bota duhet ta dijë se ne nuk do ta dorëzojmë territorin tonë. Nëse nuk e tregojmë këtë, të gjithë do ta humbin besimin dhe do të ndalojnë së ndihmuari Ukrainën”, ka thënë komandant Yuri.

Luftimet për Pokrovskun – dikur qendër e rëndësishme logjistike e ushtrisë ukrainase – po zgjasin gati 18 muaj, dhe qyteti tanimë është shndërruar në rrënoja. Forcat ruse po avancojnë ngadalë nga jugu, dhe pyetja që shtrohet është sa gjatë mund të rezistojë Ukraina. Ushtarët ukrainas pranojnë se po tërhiqen gradualisht, por thonë se ende mbajnë nën kontroll pjesën veriore të qytetit.

Sasha, një komandant batalioni, tregon një hartë ku ushtarët plastikë të gjelbër paraqesin pozicionet mbrojtëse ukrainase, ndërsa ata kafe tregojnë avancimin e armikut. Ai shpjegon se rusët po përdorin grupe të vogla prej dy deri në katër ushtarësh, ndonjëherë të maskuar si civilë, për të depërtuar pas vijave ukrainase.

“Është një taktikë e mirë për depërtim dhe për krijimin e një pike të re pozicionimi. Ne i identifikojmë shpejt ata që futen në prapavijën tonë – na duhen 15 deri në 20 minuta nga vërejtja deri në eliminim”, ka thënë Sasha.

Shumica e ushtarëve ukrainas në Pokrovsk janë të përqendruar te lufta dhe shmangin “çështjet politike”. Megjithatë, një vullnetar nga Letonia, zëvendëskomandant i Regjimentit Skala me thirrjen “Kum”, flet më hapur. Ai thotë se letonezët “e kuptojnë që nëse Ukraina e humb këtë luftë, vendi ynë do të jetë i radhës”.

Mesazhi nga ushtarët e intervistuar nga BBC-ja është i qartë: situata në Pokrovsk nuk është aq e pashpresë sa paraqitet. Por në këtë moment kritik, Ukraina duhet të tregojë vendosmërinë e saj. /abcnews