Macroni kërcënon Kinën
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se e kërcënoi Pekinin me tarifa gjatë një vizite në Kinë nëse kjo e fundit nuk ndërmerrte hapa për të zvogëluar suficitin tregtar në rritje me Bashkimin Evropian.
Gjatë një vizite në Kinë në fillim të dhjetorit, Macron u kërkoi udhëheqësve të vendit të rrisin bashkëpunimin mbi çekuilibrat “e paqëndrueshëm” tregtarë globalë, gjeopolitikën dhe mjedisin.
“U përpoqa t’u shpjegoja kinezëve se suficiti i tyre tregtar është i paqëndrueshëm sepse po shkatërrojnë klientët e tyre, veçanërisht sepse nuk importojnë më shumë nga ne”, tha Macron në një intervistë të botuar të dielën nga e përditshmja franceze Les Echos, transmeton Klankosova.tv
“U thashë atyre se nëse nuk reagojnë, ne evropianët do të detyrohemi të marrim masa të forta në muajt e ardhshëm, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, siç është, për shembull, vendosja e tarifave për produktet kineze”, shtoi ai.
Deficiti tregtar i BE-së me Kinën është rritur me gati 60 përqind që nga viti 2019.