Momenti kur zjarri vdekjeprurës shpërthen në çatinë e klubit të natës në Goa të Indisë, ku humbën jetën të paktën 25 persona
Ky është momenti kur çatia e një klubi nate në Goa të Indisë shpërtheu në flakë dhe shkaktoi një zjarr shkatërrues që ia mori jetën 25 personave, përfshirë turistë.
Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në klubin e natës Birch të shtunën në Arpora në Goa të Veriut, transmeton Telegrafi.
Që atëherë është vënë nën kontroll dhe të gjitha trupat janë gjetur, pasi operacionet e shpëtimit u shtrinë deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Kryeministri i Goas, Pramod Sawant, tha se shumica e të vdekurve ishin punëtorë të kuzhinës së klubit, si dhe tre deri në katër turistë. Gjashtë persona u plagosën dhe janë në gjendje të qëndrueshme, shtoi ai.
Pamjet e marra pak momente para flakëve vdekjeprurëse tregojnë një grua që performon në skenë me një grup muzikor ndërsa një zjarr i vogël fillon në tavanin mbi kokën e saj.
Askush në skenë ose në turmë nuk e vëren derisa flakët përhapen dhe fragmente që digjen fillojnë të bien mbi skenë.
Shfaqja u ndal papritur ndërsa njerëzit përpiqeshin të kuptonin se çfarë po ndodhte dhe tymi filloi të përfshinte dhomën.
Zjarri ndodhi për shkak të shpërthimit të një bombole gazi dhe është shuar, raportoi agjencia e lajmeve Press Trust of India, duke cituar policinë lokale.
Thuhej se të paktën 100 persona ndodheshin në pistën e vallëzimit të klubit, kur shpërtheu zjarri dhe disa prej tyre nxituan drejt kuzhinës poshtë në kaos dhe mbetën të bllokuar së bashku me stafin.
"Sot është një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë ne në Goa. Një incident i madh zjarri në Arpora ka marrë jetën e 23 personave", shkroi kryeministri Pramod Sawant në X.