Zyrtarë ukrainas, drejt Brukselit dhe Majamit për bisedime për paqe
Negociatorët ukrainas pritet të takohen sot me zyrtarë evropianë në Bruksel, dhe më pas me zyrtarë amerikanë në Florida.
Takimet vijnë disa ditë pas një takimi pesorësh në Kremlin mes zyrtarëve të Uashingtonit dhe Moskës, ku presidenti rus, Vladimir Putin, i ritheksoi kushtet e tij të ashpra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Para takimeve të së enjtes, Putini përsëriti kërkesat e tij të kamotshme dhe gjithëpërfshirëse për sovranitetin dhe ushtrinë e Ukrainës, gjatë një interviste për India Today.
"Ose ne i çlirojmë këto territore me forcë, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore dhe i ndalin luftimet atje", i tha Putini kanalit indian, në një intervistë të regjistruar paraprakisht dhe të publikuar një ditë para udhëtimit të tij në Indi.
I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Steve, Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, u takuan me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Kremlin më 2 dhjetor, në përpjekjet më të fundit për ta gjetur një marrëveshje që do t’i jepte fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.
Vizita e delegacionit amerikan ndodhi gati dy javë pasi një plan i hartuar nga Shtetet e Bashkura për paqe - i konsideruar si shumë i favorshëm për Rusinë - u publikua.
Plani pasqyronte shumicën e kërkesave të pandryshueshme që Moska ia ka bërë Ukrainës qysh para nisjes së pushtimit të saj në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarët ukrainas dhe aleatët evropianë të Kievit janë munduar qysh prej atëherë ta gjejnë një alternativë të pranueshme. Zyrtarët ukrainas janë takuar gjithashtu me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Menjëherë pas takimit të 2 dhjetorit në Moskë, Yuri Ushakov, diplomat me përvojë dhe këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, e përshkroi diskutimin si “konstruktiv”, por u tha mediave ruse se paqja nuk ishte as më pranë dhe as më larg.
"Partnerët amerikanë konfirmuan gatishmërinë e tyre për t’i marrë parasysh vërejtjet tona dhe propozimet tona kyç", tha Ushakov.
Megjithatë, shtoi ai, "nuk është arritur ndonjë kompromis. Puna do të vazhdojë".
Witkoff, ndërkohë, nuk foli për mediat para se të largohej nga Moska.
Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale më 3 dhjetor, Trump tha se Witkoff dhe Kushner i kishin thënë se dukej që Putini "do të donte të arrinte marrëveshje".
"Çfarë do që të dalë nga ai takim, nuk mund t’ju them", tha Trump, pa dhënë hollësi të tjera.
"Witkoff pati takim mjaft të mirë me Putinin. Do të shohim çfarë do të ndodhë", tha ai.
"Përshtypja e tyre ishte se [Putini] do të donte ta përfundonte luftën”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Andriy Hnatov, do të takohen me këshilltarë evropianë të sigurisë kombëtare në Bruksel më 3 dhjetor dhe më pas do të udhëtonin drejt Floridës për më shumë bisedime me Witkoffin dhe Kushnerin. /REL