Britania e Madhe liron gabimisht edhe 12 të burgosur, dy ende në arrati
Sekretari i Drejtësisë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy ka bërë të ditur se 12 të burgosur janë liruar gabimisht gjatë tre javëve të fundit, dy prej të cilëve ende janë në arrati. Incidenti i shtohet 91 lirimeve të gabuara të regjistruara midis muajve prill dhe tetor në të gjithë Anglinë dhe Uellsin.
Lammy për BBC tha se gabime të tilla ishin të pashmangshme teksa burgjet vazhdojnë të mbështeten në mbajtjen e të dhënave në letër, duke theksuar se përmirësimet do të vijnë vetëm me “sistem plotësisht digjital”.
Ai i përshkroi gabimet e fundit si një rritje, por tha se trendi tani ishte në një trajektore në rënie. Duke folur më vonë për ITV, Lammy tha se ishte siguruar se dy të burgosurit ende të zhdukur në arrati nuk ishin as shkelës të dhunshëm dhe as seksualë.
“Nuk do të jap detaje për këto raste, sepse këto janë vendime operative të marra nga policia”, tha ai.
Shqetësimi publik është intensifikuar pas lirimit të padrejtë të të burgosurit Hadush Kebatu, i cili u burgos për sulm seksual ndaj një vajze 14-vjeçare dhe një gruaje, teksa ndodhej në një hotel azili. Që atëherë ai është arrestuar përsëri dhe është deportuar në Etiopi.
Dy të burgosur të tjerë, William Smith që më vonë u dorëzua dhe Brahim Kaddour-Cherif që u rindalua, gjithashtu u liruan gabimisht në të njëjtën kohë, duke bërë që qeveria të vendosë kontrolle më të rrepta për lirimin.
Që kur Lammy informoi parlamentin më 11 nëntor për gabimet, lirimet aksidentale kanë vazhduar. Ai pjesërisht fajësoi humbjet e personelit të akumuluar nën qeverinë e mëparshme konservatore, duke theksuar se kishte “një mal për t’u ngjitur”. Shifrat zyrtare tregojnë se gabime të tilla u rritën me 128 për qind vitin e kaluar, nga 115 në vitet 2023-2024 në 262 në vitet 2024-2025. /abcnews