Arratisen dy të burgosur në Francë, përdorën sharrën e sjellë nga droni

Arratisen dy të burgosur në Francë, përdorën sharrën e sjellë nga droni

Bota November 27, 2025 - 19:42

Dy të burgosur në Dijon të Francës janë arratisur nga qelia e tyre pasi kanë përdorur sharra të futura me dron, konfirmuan sot autoritetet franceze. Të dy personat, të cilët konsiderohen të rrezikshëm, ishin vendosur në regjim izolimi.

Sipas hetimeve paraprake, të burgosurit – një 19-vjeçar i hetuar për tentativë vrasjeje dhe bashkëpunim kriminal dhe një 32-vjeçar i akuzuar për dhunë të përsëritur ndaj bashkëshortes – kanë prerë hekurat e qelisë dhe më pas kanë kaluar gardhin me tela me gjemba duke përdorur batanije.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të forta për sigurinë në institucionet penitenciare franceze. Sindikalistët e FO Justice deklaruan se prej muajsh kanë paralajmëruar për rënie të masave të sigurisë në burgun e Dijonit, duke kritikuar drejtimin e institucionit për mungesë vëmendjeje ndaj problemeve të vazhdueshme.

Arratisja ndodhi një javë pas një incidenti të ngjashëm në burgun Rennes-Vézin, ku një i burgosur u largua gjatë një vizite në planetarium.

Si reagim i menjëhershëm, ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, ka shkarkuar drejtorin e burgut të Dijonit. Ndërkohë, tre sindikata të burgjeve akuzuan ministrin se po lë pas dore sistemin penitenciar, i cili prej vitesh përballet me mbipopullim të skajshëm.

Aktualisht, në burgjet franceze ndodhen rreth 85,000 të burgosur, ndërsa kapaciteti zyrtar është vetëm 62,509 vende, me disa institucione që raportojnë mbipopullim mbi 200%. /abcnews