Rumania “në panik”, ngre në ajër bombarduesit pas afrimit të dronëve
Paniku e ka përfshirë sërish Rumaninë, që ngriti menjëherë në ajër avionët luftarakë, pas njoftimeve se dy dronë shkelën hapësirën ajrore të saj.
Shkelja u zbulua pranë kufirit që vendi anëtar i NATO-s ndan me Ukrainën e gjendur nën agresionin rus. Dy F-16 dhe dy Eurofighter nga misioni i policisë ajrore të Gjermanisë në Rumani u aktivizuan menjëherë, në një kohë kur për herë të fundit avionët bombardues u ngritën në ajër në Rumani, kur një dron fluturoi në hapësirën ajrore të saj më 13 shtator gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës ukrainase.
Numri i ndërhyrjeve me dronë rusë dhe shkeljeve të hapësirës ajrore në vendet evropiane të NATO-s është rritur ndjeshëm, në atë që kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen e cilësoi hapur si një “luftë hibride”. Belgjika, Gjermania, Republika Çeke, Spanja, Norvegjia dhe Danimarka kanë raportuar që të gjitha ndërhyrje dronësh në hapësirën e tyre ajrore.
Rreth 20 dronë rusë hynë në qiellin e Polonisë vetëm natën e 9 shtatorit. Tre aeroplanë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta më 19 shtator, përpara se avionë luftarakë italianë t’i shoqëronin ata jashtë saj.
Lituania njoftoi më 23 tetor se dy avionë luftarakë rusë kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore./tch