Senati i Australisë pezullon senatoren që hyri me burka në Parlament
Foto: Reuters

Senati i Australisë pezullon senatoren që hyri me burka në Parlament

Bota November 25, 2025 - 10:18

Senati i Australisë pezulloi të martën për shtatë ditë pune senatoren e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, pasi ajo hyri në Parlament e veshur me burka si një mjet politik në fushatën e saj për ta ndaluar këtë veshje myslimane në hapësirat publike, veprim që shkaktoi dënim të gjerë nga ligjvënësit.

Hanson mbajti burkën në dhomën e lartë të hënën, pasi iu mohua leja për të paraqitur një projektligj që do të ndalonte burkat dhe mbulimet e tjera të fytyrës në vendet publike. Veprimi i saj ngjalli menjëherë akuza për racizëm nga deputetë myslimanë, shkruan Reuters, transmeton Zeri.info.

Ministrja e Jashtme Penny Ëong, e cila drejton qeverinë laburiste në Senat, deklaroi: “Spektakli i urrejtjes dhe sipërfaqësor i senatores Hanson dëmton kohezionin tonë shoqëror, e dobëson Australinë dhe ka pasoja të rënda për shumë prej njerëzve tanë më të cenueshëm”.

“Senatorja Hanson talli dhe ofendoi një besim — një besim që ndiqet nga gati një milion australianë… Nuk kam parë askënd të tregojë mungesë kaq të madhe respekti ndaj Parlamentit.”

Mocioni për censurimin e udhëheqëses së partisë “One Nation” u miratua me 55 vota pro dhe 5 kundër.

“One Nation”, që ka përfituar nga rritja e ndjenjave nacionaliste dhe politikat kundër emigracionit, ka zgjeruar përfaqësimin e saj në Senat në katër vende, pasi fitoi dy mandate në zgjedhjet e përgjithshme të majit. Sipas sondazheve të fundit, mbështetja për Hanson dhe One Nation është rritur më tej.

Hanson tha se qëndron pas pikëpamjeve të saj për burkën dhe argumentoi se Parlamenti nuk ka një kod veshjeje.


“Nëse mund të futesh me helmetë në bankë apo në vende të tjera ku të kërkojnë ta heqësh, përse burka duhet të trajtohet ndryshe?” tha ajo para gazetarëve në Canberra.
 

“Do të qëndroj në pozicionin tim dhe do të vazhdoj të mbroj atë që besoj. Janë njerëzit ata që do të më gjykojnë”

Senatore e shtetit Queensland, Hanson u bë e njohur në vitet ’90 për kundërshtimin e ashpër ndaj emigracionit nga Azia dhe kërkuesve të azilit, dhe ka kohë që e ka kundërshtuar veshjen islame.

Ky është rasti i dytë që Hanson shfaqet me burka në Parlament, duke përsëritur një veprim të vitit 2017 kur kishte kërkuar ndalimin kombëtar të kësaj veshjeje. /Zëri