Liderët perëndimorë thonë se plani amerikan është bazë për paqen, por ka nevojë për punë shtesë
Foto: AFP

Liderët perëndimorë thonë se plani amerikan është bazë për paqen, por ka nevojë për punë shtesë

Bota November 22, 2025 - 16:10

Liderët evropianë dhe perëndimorë thanë të shtunën se plani për paqe i hartuar nga Shtetet e Bashkuara është themeli për bisedime për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, por shtuan se nevojitet “punë shtesë” në të.

Evropa është duke bërë përpjekje për ta nxjerrë një marrëveshje më të mirë për Kievin para afatit të së enjtes.

Duke u takuar në margjinat e një samiti të G20-ëss, liderët evropianë dhe perëndimorë u përpoqën me nxitim ta gjenin një përgjigje të bashkërenduar ndaj kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump, që Ukraina ta pranojë deri të enjten planin e tij 28-pikësh për paqe me Rusinë.

Plani amerikan, i cili mbështet kërkesa kyç të Rusisë, u prit me kritika të matura në shumë kryeqytete evropiane, ku liderët u përpoqën të balanconin vlerësimin ndaj Trumpit për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftimeve, por duke e pranuar gjithashtu se për Kievin, disa nga kushtet e propozimit janë të papranueshme.

“Drafti fillestar i planit me 28 pika përfshin elemente të rëndësishme që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë liderët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Kanadasë, Holandës, Spanjës, Finlandës, Italisë, Japonisë dhe Norvegjisë.

“Besojmë, pra, se drafti është një bazë që do të kërkojë punë shtesë”, thuhej në deklaratë.

Liderët u mblodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten se vendi i tij përballet me zgjedhjen mes humbjes së dinjitetit dhe lirisë ose mbështetjes së Uashingtonit lidhur me planin.

Ai u bëri thirrje ukrainasve të jenë të bashkuar, duke premtuar se nuk do ta tradhtonte kurrë Ukrainën.

Ky sinjal shtyu liderët evropianë të grumbulloheshin.

 

Derisa liderët nxituan ta hartonin një përgjigje të bashkërenduar ndaj planit të Trumpit për paqe, Ukraina tha se do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë amerikanë në Zvicër për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili tani është në vitin e katërt.

“Ukraina kurrë nuk do të jetë pengesë për paqen, dhe përfaqësuesit e shtetit ukrainas do të mbrojnë interesat legjitime të popullit ukrainas dhe themelet e sigurisë evropiane”, thuhej në një deklaratë të presidencës ukrainase.

Zelensky shtoi në një fjalim: “Këtu bëhet fjalë për shumë më tepër sesa për pikat specifike të këtij apo atij dokumenti. Duhet të sigurohemi që askund në Evropë apo në botë të mos mbizotërojë parimi se krimet kundër njerëzve dhe njerëzimit, kundër shteteve dhe kombeve, mund të shpërblehen dhe falen”.

Të premten, Trump tha se Zelensky ka afat deri të enjten ta pranojë planin e tij me 28 pika, i cili i kërkon Ukrainës të dorëzojë tokë, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga synimet për t’iu bashkuar NATO-s.

“Atij do të duhet t’i pëlqejë, dhe nëse nuk i pëlqen, atëherë, e dini, ndoshta duhet të vazhdojnë të luftojnë”, tha ai. “Në një moment ai do të duhet të pranojë diçka që nuk e ka pranuar më parë”.

Në deklaratën e tyre, liderët perëndimorë thanë se janë “të shqetësuar për kufizimet e propozuara për Forcat e Armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme”.

“Ne përsërisim se zbatimi i elementeve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe që lidhen me NATO-n do të kërkonte pëlqimin e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, përkatësisht”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e përshkroi planin si bazë për zgjidhjen e konfliktit, por Moska mund t’i kundërshtojë disa pika të planit, i cili kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zonat që i kanë pushtuar. /REL