Ish-presidenti francez Sarkozy boton librin “Ditari i një të burgosuri”

Ish-presidenti francez Sarkozy boton librin “Ditari i një të burgosuri”

Bota November 21, 2025 - 23:27

Ish-presidenti francez, Nicholas Sarkozy, ka shkruar një libër prej 216 faqesh që detajon 20 ditët e tij në burg, që do të dalë në shitje më 10 dhjetor, sipas ”The Sun”.

”Libri me titull ‘Ditari i një të burgosuri’, do të dalë në shitje më 10 dhjetor”, konfirmoi botuesi francez ”Fayard”.

Sarkozy, 70 vjeç, vuajti më pak se tre javë në burgun famëkeq ”La Santé” të Parisit, pasi u dënua për pranim parash të paligjshme nga diktatori i ndjerë libian, kolonel Gaddafi, për të financuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.

Ai u dënua me pesë vjet burg, maksimumi për konspiracion kriminal, por u lirua në pritje të apelit.

Pavarësisht se kaloi vetëm 20 ditë në paraburgim, Sarkozy ka shkruar një libër me mesatarisht 11 faqe për një ditë burg.

Pasazhe nga kujtimet u publikua nga botuesi.

Libri fillon me fjalinë “Në burg, nuk ka asgjë për të parë dhe asgjë për të bërë”.

Ai shkruan se “heshtja nuk ekziston në ‘La Santé” dhe se ”zhurma brenda burgut është mjerisht e vazhdueshme”.

Sarkozy këmbëngul se nuk u thye nga koha e tij pas hekurave.

“Ashtu si në shkretëtirë, jeta e brendshme forcohet në burg”, thotë ai.

Ish-udhëheqësi u mbajt i vetëm në një qeli 29 metra katrore dhe i ndarë nga të burgosurit e tjerë, pasi mori kërcënime me vdekje.

Dy oficerë policie u caktuan në qelinë fqinje gjatë gjithë kohës për ta mbrojtur atë nga të burgosurit që zotoheshin të “hakmerreshin për Gadafin”.

Sarkozy e përshkroi kohën e tij brenda si një “makth” dhe iu lut gjyqtarëve për lirim të parakohshëm.

Gjykata e Apelit e Parisit miratoi kërkesën e tij më 10 nëntor, duke e vendosur atë nën mbikëqyrje gjyqësore ndërsa sfida e tij vazhdon.

Ai duhet të mbajë një byzylyk elektronik dhe të paraqitet në polici, ndërsa jeton në shtëpinë e tij me gruan, ish-supermodelen Carla Bruni, 57 vjeçe.

Djali i tij, Louis reagoi në internet pas vendimit, duke shkruar “Rroftë liria”.

Por, Sarkozy nuk është liruar nga akuzat. Ai mund të kthehet në paraburgim në mars nëse apeli i tij dështon.

Prokurorët më parë i përshkruan veprat penale si “jashtëzakonisht serioze”, por thanë se Kodi Penal lejonte lirimin e përkohshëm.

Gjatë natës së tij të parë në burg, të burgosurit e tallën dhe e kërcënuan, me një video që u shfaq në internet që tregonte një të burgosur duke bërtitur se “ne dimë gjithçka, Sarko… ne dimë gjithçka. Kthejini miliardat e dollarëve”.

Sarkozy thuhet se refuzoi të hante çdo vakt të përgatitur në burg, nga frika se ushqimi ishte kontaminuar.

Në vend të kësaj, ai jetoi kryesisht me ton dhe kos të blerë nga mensa.

Një burim i tha ”Le Point” se “ai as nuk di të ziejë një vezë! Dhe, përveç kësaj, në parim ai refuzon ta bëjë”.

Ai mbante një çantë sportive me sende personale në qelinë e tij dhe fshinte dyshemenë vetë me një fshesë të vogël.

Sarkozi i tha gjykatës se kishte qenë një i burgosur shembullor.

“Unë iu përgjigja me kujdes të gjitha thirrjeve. Kjo përvojë e vështirë më u imponua dhe e durova”, tha ai.

Ai falënderoi stafin e burgut për shfaqjen e “humanizmit të jashtëzakonshëm” dhe tha se ata kishin ndihmuar ta bënin “makthin të durueshëm”.

Sarkozi ishte ish-kreu i parë francez i shtetit i burgosur që nga bashkëpunëtori nazist mareshali Philippe Pétain në vitin 1945.

”La Santé”, ku ai u mbajt, është një nga burgjet më famëkeqe të Francës, i njohur për trazirat, kushtet e këqija dhe ekzekutimet në gijotinë në të kaluarën.

Sarkozi mund të dërgohet përsëri atje, nëse Gjykata e Apelit mbështet vendimin fillestar. /abcnews