Zelensky thotë se nuk do ta tradhtojë Ukrainën, pasi plani i SHBA-së i kërkon lëshime të mëdha
Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje të premten ukrainasve të jenë të bashkuar, si dhe u zotua se kurrë nuk do ta tradhtojë Ukrainën, në një fjalim drejtuar kombit pasi Shtetet e Bashkuara ia paraqitën Kievit një plan për paqe, i cili mbështet kërkesat kryesore të Rusisë.
Duke folur në rrugë para zyrës së tij, një vend që ai e përdor shumë rrallë për fjalime të mëdha, Zelensky tha se Ukraina po përpiqet ta ruajë lirinë e vet dhe njëkohësisht mbështetjen e aleatit të saj më të rëndësishëm.
“Ky është një nga çastet më të vështira të historisë sonë. Tani, trysnia mbi Ukrainën është ndër më të mëdhatë. Tani, Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose ta humbë dinjitetin ose të rrezikojë ta humbë një partner të madh”, tha ai.
“Unë do të luftoj 24/7 për t’u siguruar që të paktën dy pika të planit të mos anashkalohen: dinjiteti dhe liria e ukrainasve”, tha Zelensky.
Uashingtoni ia ka paraqitur Kievit një plan me 28 pika, i cili kërkon që Ukraina të dorëzojë pjesë të tokës së vet, të pranojë kufizime në ushtrinë e vet dhe të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.
Dy burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës një javë kohë për ta pranuar planin.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me ndërprerjen e ndarjes së informatave të inteligjencës dhe furnizimet me armë për Ukrainën, nëse ajo nuk e pranon marrëveshjen, thanë burimet, duke folur në kushtet e anonimatit.
Një delegacion ushtarak amerikan u takua me Zelenskyn në Kiev të enjten. Ambasadorja amerikane dhe shefi i informimit të ushtrisë që udhëtonin me delegacionin e përshkruan takimin si të suksesshëm dhe thanë se Uashingtoni po kërkonte një “afat agresiv” që SHBA-ja dhe Ukraina ta nënshkruajnë një dokument.
Zelensky zhvilloi bisedë telefonike të premten me liderët e aleatëve Britani, Gjermani dhe Francë, dhe më pas foli me nënpresidentin amerikan JD Vance.
Liderët evropianë, të cilët nuk ishin konsultuar për planin me 28 pika, shprehën mbështetjen e tyre të fortë për Kievin.
“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë, por mënyra se si përfundon ka rëndësi. Rusia nuk ka asnjë të drejtë ligjore për asnjë lëshim nga vendi që ajo pushtoi”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Ky është një moment shumë i rrezikshëm për të gjithë”, shtoi ajo.
Zyrtarët amerikanë, duke mbrojtur planin e tyre, kanë thënë se ai u hartua pas konsultimeve me Rustem Umerovin, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, një aleat i afërt i Zelenskyt që shërbeu si ministër i Mbrojtjes deri në korrik.
Umerov “u pajtua me shumicën e planit, pasi bëri disa ndryshime, dhe ia paraqiti atë presidentit Zelensky”, tha një zyrtar i lartë amerikan të enjten.
Umerov mohoi se ishte pajtuar me ndonjë nga pikat e planit dhe tha se ai kishte luajtur vetëm një rol teknik në organizimin e bisedimeve.
“Nuk kam dhënë asnjë vlerësim apo, aq më pak, aprovim të ndonjë pike. Kjo nuk është brenda autoritetit tim dhe nuk përputhet me procedurën”, shkroi ai në Telegram.
Kremlini, nga ana e tij, tha se Rusia nuk ka marrë asgjë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara për ndonjë plan paqeje. Kievi duhet të marrë një “vendim të përgjegjshëm” dhe ta bëjë këtë tani, tha zëdhënësi Dmitry Peskov.
Plani, një kopje e të cilit është parë nga Reuters, do t’i kërkonte Ukrainës të tërhiqet nga toka që ajo ende kontrollon në provincat lindore që Rusia pretendon se i ka aneksuar, ndërsa Rusia do të hiqte dorë nga sasi më të vogla territori që mban në rajone të tjera.
Ukrainës do t’i ndalohej përgjithmonë t’i bashkohej aleancës ushtarake të NATO-s, dhe forcat e saj të armatosura do të kufizoheshin në 600.000 trupa.
NATO do të pranonte të mos vendoste kurrë trupa atje.
Sanksionet kundër Rusisë do të hiqeshin gradualisht, Moska do të ftohej të rikthehej në grupin e G8 të vendeve të industrializuara, dhe asetet e ngrira ruse do të grumbulloheshin në një fond investimi, me Uashingtonin që do të merrte një pjesë të fitimeve.
Një nga kërkesat kryesore të Ukrainës, për garanci të zbatueshme të barasvlershme me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s për të penguar Rusinë nga sulmet e ardhshme, trajtohet me një fjali të vetme pa hollësi: “Ukraina do të marrë garanci të forta sigurie”. /REL