SHBA-ja heq tarifat për importet e produkteve braziliane

SHBA-ja heq tarifat për importet e produkteve braziliane

Bota November 21, 2025 - 15:46

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë anuluar tarifat që presidenti Donald Trump vendosi ndaj Brazilit për shkak të ndjekjes penale të ish-liderit, Jair Bolsonaro.

“Vendimi heq tarifën shtesë të importit prej 40% për një gamë të gjerë produktesh ushqimore braziliane, duke përfshirë mishin e viçit, kafenë dhe fruta të ndryshme”, njoftoi dje në mbrëmje Shtëpia e Bardhë.

Trumpi ishte nën presion në rritje për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve në SHBA.

Uashingtoni i shpalli tarifat shtesë në korrik – pasi Trumpi akuzoi Brazilin se akuzat kundër Bolsonaro ishin të motivuara politikisht – i cili shërbeu si president i vendit nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe konsiderohet një aleat i ngushtë i Trumpit.

Bolsonaro u dënua në shtator me mbi 27 vjet burg për përpjekje për të organizuar një grusht shteti.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, vendimi për të hequr tarifat erdhi pas bisedimeve midis Trumpit dhe presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva. /abcnews