Pentagoni: Kemi opsione të reja për të goditur grupin e lidhur me Maduron

Bota November 20, 2025 - 23:57

Vendimi i presidentit Donald Trump për të shpallur si organizatë të huaj terroriste një kartel droge që SHBA-të e lidhin me presidentin venezuelian Nicolás Maduro, i jep ushtrisë amerikane një gamë më të gjerë opsionesh veprimi, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Të dielën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se Cartel de los Soles do të përfshihet në listën e organizatave të huaja terroriste, duke e bërë vepër penale për këdo në SHBA që ofron mbështetje materiale për këtë grup.

Në një intervistë për One America News, pjesë të së cilës u publikuan të enjten, Hegseth u shpreh se kjo lëvizje “i sjell një sërë opsionesh të reja Shteteve të Bashkuara”. Ai e përsëriti qëndrimin se Maduro “nuk është një lider i zgjedhur në mënyrë legjitime” dhe akuzoi sërish presidentin venezuelian për përfshirje në trafikun e drogës, pretendime që Maduro i ka mohuar.

Akuza për bashkëpunim me bandat kriminale

Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Cartel de los Soles po bashkëpunon me bandën venezueliane Tren de Aragua, e cila tashmë figuron në listën amerikane të organizatave të huaja terroriste, për të trafikuar droga drejt SHBA-ve. Administrata Trump akuzon Maduron se ai drejton kartelin, gjë që presidenti venezuelian e ka hedhur poshtë.

Shpallja si organizatë terroriste pritet të hyjë në fuqi të hënën.

I pyetur nëse kjo do t’i lejonte SHBA-ve të godasë pasuritë dhe infrastrukturën e Maduro-s në Venezuelë, Trump deklaroi: “Na e mundëson, por nuk kemi thënë se do ta bëjmë”.

Megjithatë, Trump ka lënë të hapur mundësinë e negociatave me Maduros.

Rritet tensioni në rajon

Lëvizja vjen në një moment kur në rajon po zhvillohet një grumbullim i madh forcash ushtarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen më të madhe të Marinës amerikane, të paktën tetë anije të tjera luftarake dhe avionë F-35.

Forcat amerikane kanë kryer të paktën 21 goditje ndaj varkave të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor, ku janë vrarë të paktën 83 persona. Organizatat e të drejtave të njeriut i kanë dënuar këto operacione si vrasje të paligjshme jashtë gjyqit, ndërsa disa aleatë të SHBA-së kanë ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare.

Maduro ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara se po përpiqen ta largojnë nga pushteti përmes presionit ushtarak. Në gusht, SHBA dyfishoi shpërblimin për informacione që çojnë në arrestimin e tij në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar për lidhje me trafikun e drogës dhe grupe kriminale, akuza që Maduro i mohon.