Papa Leoni dënon trajtimin e pahijshëm të SHBA-ve ndaj emigrantëve
Papa Leoni ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj politikave të emigracionit të Donald Trump, duke deklaruar se të huajt në SHBA po trajtohen “në mënyrë jashtëzakonisht të pavend dhe të padenjë”.
Kreu i Kishës Katolike i bëri komentet në përgjigje të pyetjeve mbi deklaratën e miratuar javën e kaluar nga një asamble e veçantë e ipeshkvijve amerikanë. Dokumenti kritikonte deportimet masive të administratës Trump dhe theksonte frikën e pasigurinë që kanë shkaktuar operacionet ndaj emigrantëve.
Papa Leoni e cilësoi deklaratën “shumë të rëndësishme” dhe u bëri thirrje katolikëve t’i kushtojnë vëmendje. “Duhet të gjejmë mënyra për t’i trajtuar njerëzit në mënyrë humane, me dinjitetin që u takon”, tha ai për gazetarët teksa largohej nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo, një qytet kodrinor në jug të Romës.
“Edhe nëse njerëzit qëndrojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ekzistojnë mënyra të rregullta për t’u marrë me këtë. Ka gjykata; ka një sistem drejtësie”, shtoi ai.
Papa pranoi se “çdo vend ka të drejtë të përcaktojë kush, si dhe kur mund të hyjë në territorin e tij”. Megjithatë, ai theksoi se është e papranueshme që njerëzit që kanë jetuar “10, 15, 20 vjet duke bërë një jetë të rregullt” të trajtohen “në mënyrë jashtëzakonisht fyese” dhe madje të dhunshme. “Ipeshkvijtë kanë qenë shumë të qartë në atë që kanë thënë”, u shpreh ai.
I zgjedhur në maj pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Papa Leoni ka adoptuar një ton gjithnjë e më kritik ndaj politikave të emigracionit të Trump gjatë javëve të fundit.
Në shtator, ai e quajti trajtimin e emigrantëve në SHBA “çnjerëzor”, ndërsa në tetor vuri në dyshim nëse politikat e presidentit amerikan ishin në përputhje me mësimet e Kishës Katolike. “Dikush që thotë se është kundër abortit, por pajtohet me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara… nuk e di sa pro-jetës mund të quhet,” tha ai atëherë.
Edhe atë deklaratë Papa Leoni e bëri nga Castel Gandolfo, ku tradicionalisht kalon të hënave pasdite dhe të martave. Ky pontif i lindur në Çikago riktheu pushimet papnore në Castel Gandolfo këtë verë, pas ndërprerjes së traditës nga Papa Françesku.
Të martën, Papa Leoni publikoi gjithashtu një video me tone të forta për krizën klimatike, drejtuar ipeshkvijve pjesëmarrës në samitin Cop30 në Brazil. Ai kritikoi dështimin e liderëve botërorë për të treguar vullnet politik përballë krizës: “Krijimi po bërtet përmes përmbytjeve, thatësirave, stuhive dhe vapës së pamëshirshme. Një në tre njerëz jeton në cenueshmëri të madhe për shkak të këtyre ndryshimeve klimatike.”
Ai e përmendi Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 si “mjetin më të fuqishëm për të mbrojtur njerëzit dhe planetin”.
“Problemi nuk është marrëveshja; problemi është reagimi ynë”, tha Papa Leoni. “Ajo që mungon është vullneti politik i disa liderëve. Udhëheqja e vërtetë do të thotë shërbim dhe mbështetje në një shkallë që sjell ndryshim.” /abcnews