Avokati serb akuzon Vuçiqin për përfshirje në “Snajper Safari” në Sarajevë

Avokati serb akuzon Vuçiqin për përfshirje në “Snajper Safari” në Sarajevë

Bota November 16, 2025 - 23:31

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka publikuar një sërë pretendimesh, duke thënë se “ka gjithnjë e më shumë dëshmi që tregojnë se Aleksandar Vuçiq ka qenë pjesë e të ashtuquajturit ‘Snajper Safari’ gjatë rrethimit të Sarajevës”.

Sipas Stojkoviqit, Vuçiq në një intervistë të vitit 1994 kishte deklaruar se kishte shkuar si vullnetar në zonën e quajtur “Sarajeva serbe” dhe se “kishte qëndruar për një kohë në Varrezat Hebraike”. Avokati thekson se pikërisht kjo zonë përshkruhet në materiale të ndryshme si vendi nga ku civilët në Sarajevë qëlloheshin me snajper.

Stojkoviq thotë se këtë e ka përmendur edhe Vojislav Sheshel gjatë gjykimit të tij në tribunalin ndërkombëtar, kur kishte deklaruar se Vuçiq kishte shërbyer si vullnetar në njësinë e udhëhequr nga Slavko Aleksiq, e cila vepronte në atë zonë.

Sipas avokatit, Aleksiq ishte komandant i sektorit ku, sipas pretendimeve të dokumentuara në publik, ndodhte edhe praktika e quajtur “Snajper Safari”, për të cilën Stojkoviq thotë se përfshinte sjelljen e të huajve në kodrat mbi Sarajevë për të qëlluar civilë.

Ai shton se ekziston një video nga vitet ’90 ku Vuçiq shihet me një armë që, sipas tij, i ngjan pushkës snajperike.

Stojkoviq ka lidhur me këtë çështje edhe një video të ditëve të fundit nga kampi me tenda i ngritur nga Vuçiq përballë parlamentit të Serbisë, ku shihet Zlatko Novkoviq, për të cilin thotë se ka qenë vullnetar në të njëjtën njësi të Aleksiqit. Në video, sipas avokatit, Novkoviq shihet duke bërë gjest kërcënues me dorë në fyt, sikur u përcjell mesazh protestuesve.

Ai përmend edhe dokumentarin “Gjuetarët e Njerëzve të Sarajevës”, ku përshkruhet sjellja e të huajve në pozicionet e snajperëve përmes Beogradit, duke shtuar se Vuçiq, siç thotë Stojkoviq, “ndodhej pikërisht në ato kodra gjatë asaj periudhe”.

Stojkoviq thekson se Vuçiq ka pranuar se ishte vullnetar i armatosur dhe se kishte shkuar me dëshirë për të marrë pjesë në luftë, duke përkujtuar edhe deklarimin e tij të viteve ’90 në parlamentin serb, ku kishte thënë se “për çdo serb të vrarë, do të vriteshin njëqind boshnjakë”. 

Ndryshe, Prokuroria Publike në Milano ka hapur një hetim mbi pretendimet se disa shtetas italianë udhëtuan në Bosnje-Hercegovinë gjatë luftës në fillim të viteve 1990 për të marrë pjesë në ashtuquajturat “safarë snajperësh”. Sipas raportimeve, italianë dhe persona të tjerë paguan shuma të mëdha për të qëlluar civilë të pambrojtur në qytetin e rrethuar të Sarajevës. /Rtk