Zelensky pas takimit Trump-Orban: Nuk e di ku i sheh përparimet Presidenti i SHBA-së
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi këtë të premte pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke vënë në dyshim deklaratat e Trump-it për “përparime të rëndësishme” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Nuk e di për çfarë përparimesh domethënëse flet Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit. Nga Moska po vijnë vetëm sinjale të rreme, me qëllim që të fitojnë kohë,” deklaroi Zelensky.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, Rusia po përdor të njëjtën strategji që nga fillimi i mandatit të Trump-it, duke dhënë premtime të rreme për paqe ndërkohë që në praktikë vepron në drejtim të kundërt.
“Ata e bëjnë këtë vetëm për të vonuar vendimet e Trump-it, duke treguar mungesë të vullnetit për t’i dhënë fund luftës,” theksoi Zelensky.
Presidenti ukrainas u shpreh gjithashtu i bindur se Uashingtoni do të miratojë së shpejti dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë.
“Kjo çështje tashmë është mbi tavolinë, është vetëm çështje kohe,” tha ai, duke shtuar se Trump “nuk e ka mohuar” që institucione të rëndësishme amerikane, përfshirë Pentagonin, kanë dhënë sinjale pozitive për mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi. /euronews