38-vjeçari homoseksual Rob Jetten pritet të bëhet kryeministri më i ri në moshë i Holandës

38-vjeçari homoseksual Rob Jetten pritet të bëhet kryeministri më i ri në moshë i Holandës

Bota November 06, 2025 - 10:48

Rob Jetten është zgjedhur kryeministër i ri i Holandës, ai është bërë kryeministri më i ri në moshë që ka pasur vendi dhe njëherësh i pari që ka pranuar hapur se është homoseksual

Lideri qendror holandez, Rob Jetten, të hënën ka siguruar një fitore tepër të ngushtë ndaj politikanit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, duke marrë një epërsi historikisht të vogël prej 28,455 votash, pasi u numëruan të gjitha votat.

Jetten e kishte shpallur tashmë fitoren të premten, pasi agjencia lokale e lajmeve ANP, e cila mbledh dhe publikon rezultatet, kishte raportuar se Wilders nuk mund ta tejkalonte më epërsinë e tij.

Votat e fundit të numëruara ishin ato të rreth 87,000 holandezëve që jetojnë jashtë vendit, votat postare të të cilëve u numëruan në Hagë. Siç pritej, diaspora holandeze votoi më shumë për Jettenin (16,049 vota) sesa për Wildersin (7,451), duke i dhënë 38-vjeçarit një epërsi të pakapërcyeshme.

Wildersi e ka akuzuar Jettenin për arrogancë për shpalljen e fitores para shpalljes zyrtare dhe ka ndarë gjithashtu pretendime të pabazuara për parregullsi në votime.

Këshilli Zgjedhor i Holandës do ta shpallë zyrtarisht rezultatin të premten. Po ashtu, Këshilli do të publikojë nëse ka pasur ndonjë problem gjatë ditës së zgjedhjeve.

Rezultati e vë në rrugë të sigurt karizmatikun Rob Jetten për t’u bërë kryeministri më i ri dhe i pari hapur homoseksual në historinë e vendit, transmeton Zeri.info.

Por fillimisht, ai e ka përpara një detyrë të vështirë – formimin e një koalicioni qeverisës.

Fragmentimi i skenës politike në Holandë nënkupton se asnjë parti nuk fiton mjaftueshëm ulëse në parlamentin me 150 anëtarë për të pasur shumicë absolute.

Partia e Jettenit, Demokratët 66 (D66), pritet të fitojë 26 ulëse – aq sa edhe Partia për Liri (PVV) e udhëhequr nga Wilders, e njohur për qëndrimet e saj kundër islamit dhe emigrantëve.

Image

Opsioni më i mundshëm dhe preferenca e Jettenit është një koalicion katërpalësh me partinë qendrore të djathtë CDA (18 ulëse), bllokun e majtë të Gjelbër/Socialdemokrat (20) dhe partinë e djathtë VVD (22).

Ky koalicion do të kishte gjithsej 86 ulëse, duke siguruar një shumicë të qëndrueshme, por ekzistojnë dyshime nëse Jetteni do të arrijë t’i bëjë VVD-në dhe të Gjelbër/Socialdemokratët të bashkëpunojnë.

Hapi i radhës pritet të martën, kur Jetteni do të emërojë të ashtuquajturin “zbulues” për të parë se cilat parti janë të gatshme të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Derisa të formohet qeveria e re, qeveria kujdestare e udhëhequr nga Dick Schoof mbetet në detyrë.

Bisedimet për formimin e koalicionit pritet të jenë të gjata dhe të lodhshme. Schoofi ka deklaruar se është i përgatitur të mbetet kryeministër edhe gjatë Krishtlindjeve. /Zëri