“E pashë vdekjen me sytë e mi” - dëshmia tronditëse e të vetmit të mbijetuar nga fluturimi 171
Viswashkumar Ramesh, 40 vjeç nga Leicester i Britanisë, është i vetmi i mbijetuar nga përplasja tragjike e avionit të Air India Flight 171, që u rrëzua më 12 qershor pranë qytetit Ahmedabad në shtetin Gujarat të Indisë.
Avioni tip Boeing 787 Dreamliner u përplas në një ndërtesë pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar 241 viktima në bord dhe 19 të tjerë në tokë.
Në një intervistë për Sky News, Ramesh rrëfeu se trauma e asaj dite e ka thyer përbrenda dhe se jeta e tij nuk është më e njëjta. A i ndodhej në vendin 11A, pranë derës së emergjencës, prej nga arriti të dilte mes flakëve, raporton SkyNews, transmeton Klankosova.tv.
Vëllai i tij, Ajaykumar, që ndodhej në një rresht tjetër, humbi jetën në përplasje. “Unë vetëm mendoj për vëllain tim. Ai ishte gjithçka për mua”, tha Ramesh me lot në sy.
Pas aksidentit, Ramesh ka mbetur me djegie dhe dhimbje në shpatull, gjunjë e kurriz, ndërsa bashkëshortja e tij e ndihmon për kujdeset personale. Ai pranon se ka vështirësi të flasë edhe me djalin e tij katërvjeçar, Divang.
“Unë nuk dal më nga shtëpia, nuk bëj asgjë, vetëm mendoj për atë ditë”, tha ai me zë të ulët.
Përfaqësuesit e tij në Britani po kërkojnë që Air India të marrë përgjegjësinë e plotë dhe të ofrojë ndihmë financiare dhe psikologjike. Linja ajrore i ka dhënë Ramesh-it një pagesë të përkohshme prej 21,500 paundësh, por avokatët e tij thonë se “shuma nuk mbulon as nevojat minimale”.
Ata kërkojnë që drejtori ekzekutiv i Air India, Campbell Wilson, të takohet personalisht me Ramesh-in dhe familjet e viktimave “për t’i dëgjuar si njerëz, jo si numra në një tabelë”.
Një zëdhënës i kompanisë ka thënë për Sky News se Air India mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur familjet e prekura dhe se ka ofruar takim me Ramesh dhe përfaqësuesit e tij.